Deputeti i PDK’së Mërgim Lushtaku thotë se kjo parti duhet të ketë një lider vizionar që do t’i prijë rikthimit të madh në skenën politike vendase.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Lushtaku thotë se zgjedhjet e brendshme duhet të zgjedhin në krye anëtarin më të mirë të PDK’së që do të sillte energji të reja në parti.
“PDK, nuk guxon të humb kohë dhe të vendnumëroj, për arsye se në thelb është parti dinamike dhe zhvillimore, andaj me energji të reja duhet të kthehet në piedestal”, shkroi Lushtaku në Facebook.
“Ka ardhur koha për një lider të ri dhe vizionar i cili do t’i prijë Partisë Demokratike të Kosovës drejt rikthimit të madh”, theksoi ai.
PDK njoftoi se më 3 korrik do të nisin Konventën Zgjedhore që do të përfundojë me zgjedhjen e kryetarit të ri.
Pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara ndaj kryetarit të deritanishëm të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ky i fundit është tërhequr nga gjitha funksionet politike.
Pas kësaj, Enver Hoxhaj, u emërua ushtrues detyre i kryetarit të PDK dhe i priu kësaj partie në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Shkrimi i plotë i Lushtakut në Facebook:
Pas shumë rrethanave të krijuara në kohët e fundit dhe debatit të gjatë brenda strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, tani ka ardhur koha për një lider të ri dhe vizionar i cili do t’i prijë Partisë Demokratike të Kosovës drejt rikthimit të madh.
Partia jonë duhet të reflektoj karshi vullnetit dhe kërkesave të popullit dhe të zgjedh më të mirin nga rradhët tona duke respektuar gjithnjë të kaluarën e lavdishme të PDK-së.
PDK, nuk guxon të humb kohë dhe të vendnumëroj, për arsye se në thelb është parti dinamike dhe zhvillimore, andaj me energji të reja duhet të kthehet në piedestal.
Një falënderim i veçantë shkon për ata që themeluan PDK-në si projekt kombëtar, Presidentin Hashim Thaçi, Kryetarin Veseli dhe bashkëpunëtorët e tyre. Po ashtu, mirënjohje e thellë për Ud. Kryetarin e PDK-së z. Enver Hoxhaj, për angazhimin e tij në këtë kohë të vështirë të partisë.
Uroj që kjo konventë zgjedhore të shkoj mbarë si çdo herë dhe të tregojmë kulturë të lartë demokratike si Parti.
Zoti na dhashtë rrugën e hajrit dhe të suksesit!