Lidhja Demokratike e Kosovës, sot prezantoi Avdullah Hotin të nominuar nga kjo parti për kryeministër, për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit. Në këtë garë ishte edhe nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri në një prononcim për Gazetën Metro, e ka konfirmuar se ka qenë në garë, dhe se është tërhequr vet.
Ai ka thënë se vendimin për tërheqje e ka marrë sot në mëngjes.
Mustafa në konferencëne e sotme për media tha, se pas tërheqjes së Lutfi Hazirit, LDK i ka shqyrtuar disa emra si kandidat të mundshëm për t’i nominuar për kryeministër, dhe në këtë listë sipas kryeministrit në largim, kanë qenë të gjithë nënkryetarët e LDK’së, por edhe ministrat e kësaj parti.
Ai tha, se në fund, me një pajtueshmëri unanime, u vendos që i nominuari i LDK’së për kryeministër, të jetë Avdullah Hoti, ministër në largim i Financave.
Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës para pak çastesh e ka zyrtarizuar koalicionin e tyre parazgjedhor me Alternativën.
Partitë politike duhet që deri në mesnatë t’i zyrtarizojnë koalicionet e tyre. Vendi shkon në zgjedhje më 11 qershor, pasi Qeveria u rrëzua nga mocioni i Nismës në Kuvend.