Lutfiu pas paraqitjes në stacionin policor në Bujanoc: Sa më i madh të jetë presioni për të na heshtur, aq më i madh do të jetë volumi jonë

Prishtinë | 25 Dhj 2024 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, pas një thirrjeje nga autoritetet serbe, është paraqitur këtë mëngjes në stacionin policor, raporton Ekonomia Online.

Ai ka bërë të ditur se arsyeja e thirrjes ishte lidhur me vendosjen e dy bilbordeve që shpallnin njoftimet për protestën e organizuar më datë 12.08.2024.

“Përmes një thirrje jam ftuar që sot në ora 9:00 e mëngjesit të paraqitem në stacionin policor në Bujanoc. U paraqita në stacionin policor në kohën e caktuar. Gjatë intervistës kuptova se arsyeja e thirrjes është protesta e organizuar më datë 12.08.2024, konkretisht për shkak që për vendosjen e dy bilbordeve(njoftimeve të protestave) nuk kemi marrë leje nga Komuna e Bujanocit dhe për vendosjen e tyre nuk kemi paguar taksën e paraparë”, ka njoftuar Lutfiu.

Sipas tij procedura për ngritjen e kësaj çështjeje ka ardhur si rezultat i një shkresë anonime dhe ka kërkuar sqarime për trajtimin e kësaj çështje.

“Kjo procedurë nga Prokuroria është ngritur si rezultat i një shkresë anonime. Lidhur me këtë rast nuk u deklarova për shkak që nuk është respektuar procedura e thirrjes. Gjithashtu paraqita vërejtjet e mia për mungesën e një përkthyesi të liçensuar në qytetin ku shqiptarët përbëjnë mbi 60% të popullsisë”, ka theksuar ai.

Lutfiu ka deklaruar se “sa më i madh të jetë presioni për të na heshtur, aq më i madh do të jetë volumi jonë!”.

Të ngjashme