Një fizikant i ri kosovar rrezikon lënien në gjysmë të studimeve master në Gjermani për shkak se nuk mund të përballojë pagesën e semestrit në universitetin ‘Hedilberg’.
Arben Tahiri që banonte në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicën Veriore arriti të pranohej në universitetin gjerman për studime master në fizikë duke futur në kredi familjen për sigurimin e mjeteve fillestare për shkollim.
Babai i tij, Selim Tahiri tregon për KALLXO.com kërkesat që i biri i kishte bërë ndaj institucioneve për t’ia siguruar 3000 mijë euro për pagesën e shkollimit.
Tahiri iu kishte drejtuar Minstrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Kryeministrit, Ramush Haradinaj si dhe Zëvendëskryeministrit, Behxhet Pacolli me këtë kërkesë.
Sipas babait të Arbenit, një shumë e tillë do duhej të sigurohej për studentë të dalluar siç ishte djali i tij që kreu bachelorin e fizikës në Universitetin e Prishtinës.
“Ai e ka marrë lëndën Fizikën Teorike, këtu nuk ka. Ashtu më ka thënë se qëllimi im është me përfundu taman si duhet dhe me u kthy me kontribu, me u bo përnime një universitet i mirë çfarë ëndërrojnë këta gjenerata e re”, tha Tahiri.
Ai bëri thirrje që qeveria të bëjë reduktime të shpenzimeve të tjera për t’i ndihmuar studentëve.