Dha shumë për artin, ndërsa ishte zë i shumë organizatave dhe i tërë shoqërisë civile, por dha një kontribut shumë të veçantë për pozitën e gruas në shoqëri e në institucione.
Kjo është profesoresha e muzikës, Besa Luzha, e cila i është bashkuar listës së koalicionit AAK-PSD për zgjedhjet e 6 tetorit.
Besa Luzha, si kandidate për deputete nga koalicioni AAK-PSD, promovon bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me qytetarë, për ta marrë besimin për të qenë përfaqësuese e tyre.
Ajo ka pothuajse 20 vjet përvojë pune në fushën e artit e kulturës, ku për vite me radhë ishte iniciuese e shumë projekteve kulturore e artistike.
Luzha në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se inkuadrimi në sferën politike është ndërlidhur ngushtë me përvojën në të kaluarën e saj.
Ajo shprehet se si deputete do t’i japë shumë prioritet gruas, ku thotë se edhe gratë amvise të pa puna, do të kompensohen nga shteti për punën e tyre.
“Ka 20 vite që punoj shumë ngushtë në fushën e arsimit muzikor dhe kulturës, artit, prej vitit 98 kam qenë asistente dhe tash jam profesoreshë e edukimit muzikor në fakultetin e arteve, kam diplomuar si pianiste, situata si ka qenë te na e ka pamundësua zhvillimin e një artisteje të pavarur siç kam qenë unë dhe rrethanat e atëhershme më kanë mundësua me eksplorua një fushë krejtësisht të re siç është pedagogjia muzikore”, thotë ajo.
Puna për 20 vjet në fondacionin gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” , me ç’rast kanë trajtuar problemet në të gjitha fushat, e kanë bërë që të fitojë një përvojë dhe për të cilat beson se tashmë do të mund të japë një kontribut edhe nga ulësja e Kuvendit.
“Problemet që janë në fushën e arsimit universitar, fondacioni im në shumë vite edhe me fondacionin gjerman, duke u fokusua në tema që ndoshta janë edhe më politike se arsimi parauniversitar, politikat sociale, shëndetësia, zhvillimi ekonomik e edhe temat e mëdha siç kanë qenë, dialogu, njohjet, demarkacioni, sovraniteti e ushtria”.
“Krejt këto ma kanë formësua një bagazh goxha të madh të aktiviteteve të ndryshme të njohjes së procedurave të punës në jetën politike, kombinimi i krejt këtyre, përvojës dhe njohurive, më kanë bë me vendos që kontributin tim tash e tutje me dhënë në mënyrë aktive në skenën politike përmes strukturave politike siç janë partitë politike, grupi parlamentar ose edhe komisioni. Kam mendua që ka ardhur koha për një angazhim profesional, një përvojë dhe akumulim të shkathtësive të ndryshme me qenë prezent në parlamentin e Kosovës, karshi sfidave”, thotë ajo.
Megjithatë, Luzha thotë se fokusi i saj do të jetë tek avancimi i grave, sidomos atyre që merren me punë e shtëpisë dhe përkujdesjen me fëmijë.
Ajo thotë se kanë plan konkret për këtë kategori sociale.
“Ka gra që nuk punojnë as në shtet as në sektorin privat, por punojnë në shpi dhe njëfarë mënyre kontributi i tyre nuk njihet. Ka pasur lëvizje në këtë drejtim me angazhimin e shoqërisë civile. Ky kontribut duhet të njihet në mënyrë normale, me standarde, ka modele, ka shtete që e kanë të rregulluara këtë dhe kjo do jetë një nga çështjet që unë e kam vu si pikë në programin e angazhimit tim. Një çështje tjetër është sepse barazia për mua është 50/50, një pjesë e koalicionit, PSD-ja veç se e ka të instaluar këtë në përfaqësimin brenda partisë, nuk ka kuotë, barazia është 50/50″, thotë ajo.
Luzha thotë se secila qeveri e ardhshme, që në fillim të mandatit, duhet ta ketë prioritet arritjen e një konsensusi për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo shprehet se qeveritë e ardhshme duhet të shohin një zgjidhje e cila do t’i kushtonte më pak shtetit tonë.
“Angazhimi i gjithë neve pas zgjedhjeve sidomos për ata që e marrin qeverisjen por edhe ata që mbesin në opozitë, do të jetë arritja e një konsensusi se si do ta përmbyllim marrëveshjen me Serbinë e cila po na ngufatë që 20 vite për mos tu marrë me problemet që ne i kemi brenda, kemi shumë sfida në arsim, shëndetësi”.
“Ligji për pagat i ka stabilizua pozitat dhe vendet e punës, sistematizimin brenda institucioneve publike, po të kishte kalua edhe ligji për qeverinë, temat për numrin e madh të ministrave edhe zëvendësministrave, do të ishte përmbyllë. Ne duhet të ulemi dhe me mendua se cila do të ishte zgjidhja e cila do ti kushtonte më pak Kosovës në mënyrë që ta përmbyllim këtë kapitull dhe ta hapim kapitullin për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, u shpreh Luzha.
Thotë se nëse do jetë deputete e Kuvendit të Kosovës, do t’i mbështetë organizatat të cilat janë zë i qytetarëve të Kosovës, duke u zotuar se populli do ta mbajë atë përgjegjëse për çdo fjalë të thënë në publik.
“Pozicioni im në parlament mbetet puna ime primare dhe nëse ka kërkesë unë vazhdoj me dhanë angazhimin tim në universitet sa më lejohet sipas ligjit, me shoqërinë civile do të kem bashkëpunim. Unë dua të iu garantoj që për krejt këto çka i propozoj dhe çka i them në paraqitje publik, do më mbani përgjegjëse dhe u jap fjalën se do të jem vërtetë zëri i qytetarëve dhe do të punojë vetëm për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Luzha.