Macron konfirmon perspektivën për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 19 Jan 2022 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet të rishikojë raportet e tij me Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se shteteve të Ballkanit, BE-ja duhet t’iu ofrojë perspektivë “të sinqertë” për anëtarësimin në bllokun evropian.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë në bisedimet për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë dështuar që të nisin bisedimet për anëtarësim, për shkak se Bullgaria ka vendosur veto duke u thirrur në mosmarrëveshjet që ka me Shkupin sa i përket historisë dhe gjuhës. Ndërkaq, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë të fundit në procesin e integrimit drejt BE-së.

Franca, që nga 1 janari ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së, ka dhënë sinjale se do ta ketë në fokus të Presidencës rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, gjatë një fjalimi të ndarë para Parlamentit Evropian, Macron foli edhe për tensionet në rritje mes Ukrainës dhe Rusisë. Ai tha se shtetet e BE-së duhet të punojnë së bashku për një marrëveshje të re për stabilitetin dhe sigurinë, për të cilën më pas do të mund të diskutonin me Rusinë.

Duke iu referuar si “përpjekje destabilizuese” në kontinent, Macron, duke folur në cilësinë e kryesuesit të Presidencës së BE-së, tha se Evropa dëshiron të gjejë një përgjigje politike për konfliktin në Ukrainë.

“Siguria e kontinentit tonë është e pandashme”, tha Macron duke iu referuar Rusisë. Ai shtoi se Evropa duhet të definojë standardet e saj të sigurisë.

Macron tha se Evropa duhet ta “sjellë veten në pozicion që (standardet) të respektohen”, por nuk dha më shumë hollësi.

Më herët gjatë ditës, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që po qëndron në Kiev, paralajmëroi se Rusia mund të nisë një sulm të ri ndaj Ukrainës.

Kievi dhe Perëndimi janë të shqetësuar se Rusia është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën, pasi Moska ka grumbulluar rreth 100,000 trupa përgjatë kufirit që i ndanë këto dy shtete.

Të ngjashme