Macron, lideri që ua hapi derën gati të gjithë liderëve shtetërorë kosovarë

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Franca në shumë mënyra ka treguar se është mike e mirë e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe marrëdhëniet mes burrështetasve.

Këtë e ka dëshmuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili mbetet i vetmi lider që ka takuar pothuajse të gjithë liderët shtetërorë të Kosovës.

Macron këtë të mërkurë do të takojë edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, njofton Klankosova.tv.

Në të kaluarën i pari i Francës ka takuar, ish-presidentin, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrat, Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti.

Më 10 nëntor 2018 Macron takoi ish-presidentin, Hashim Thaçi, në Paris në ceremoninë e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Thaçi mbetet lideri i vetëm kosovar që Macron e takoi dy herë. Më 11 nëntor të vitit 2019 ai u prit nga Macron në Pallatin Elysee.

Edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ishte në mesin e udhëheqësve të Kosovës që takoi presidentin francez.

Haradinaj në kuadër të Samitit të Berlini më 29 prill 2019 zhvilloi takime me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe Presidentin francez, Emmanuel Macron.

Më 7 korrik vitin e kaluar ish-kryeministri Avdullah Hoti u prit në Pallatin Elise nga Macron.

Të ngjashme