Macron rikuperon popullaritetin në Francë

Prishtinë | 09 Jan 2019 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka regjistruar një rritje të popullaritetit të tij në sondazhet e fundit. Qytetarët e intervistuar kanë vlerësuar lëshimet e tij sa i takon taksave dhe mbrojtjen e interesave të Francës jashtë kufijve të vendit.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka rikuperuar kuotat e popullaritetit në muajin Janar, falë lëshimeve që qeveria e tij bëri pas protestave të “Jelekëve të Verdhë” kundër rritjes së taksave. Kështu thotë një sondazh i fundit i kryer nga “Ifop-Fiducial” për llogari të revistës prestigjoze “Paris Match”. Demonstratat që tronditën Francën që prej gjysmës së nëntorit kishin rrënuar popullaritetin e presidentit, që arriti minimumin historik në dhjetor 2018.

Këtë herë, mbështetja për presidentin 41-vjeçar është rritur me 5 pikë më shumë krahasuar me muajin e kaluar, duke arritur në nivelin 28 për qind. Ndërkohë, sondazhe të tjera tregojnë se popullariteti i shefit të pallatit Elize ishte rritur që në dhjetor, edhe pse në kuota më të ulëta. “Ifop-Fiducial” ka marrë në pyetje 1 mijë e 14 persona në datat 3 dhe 4 Janar, përpara protestave të së shtunës së kaluar, kur manifestuesit i vunë flakën makinave dhe barrikadave të ngritura në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.

Që prej asaj dite, qeveria franceze ka përforcuar qëndrimin e saj ndaj tubimeve të dhunshme dhe ka deklaruar se do të marrë masa drastike ndaj manifestimeve pa leje. Ndërkohë, pjesëmarrja e qytetarëve në protesta është rritur paralelisht, pas një tkurrjeje të vogël të verifikuar gjatë periudhës së festave të fundvitit. Personat e intervistuar nga “Ifop” i dhanë Macron kreditet për mbrojtjen e interesave ndërkombëtare të Francës, por vetëm 19 për qind deklaruan se besonin se ai i kupton shqetësimet e votuesve. Ndërkohë, 30 për qind vlerësuan politikat e tij ekonomike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme