Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kërkuar që Azerbajxhani menjëherë t’i tërheqë trupat nga zonat kufitare me Armeninë, për të cilat ai tha se i kanë pushtuar territoret armene.
“Forcat e armatosura të Azerbajxhanit kanë pushtuar territor armen. Ato duhet të tërhiqen menjëherë. Popullit armen edhe një herë i them: Franca qëndron në solidaritet dhe do të mbetet e tillë”, shkroi Macron në Facebook në gjuhën armene.
Ai e komentoi mosmarrëveshjen kufitare mes Armenisë dhe Azerbajxhanit pasi bisedoi në telefon me kryeministrin në detyrë të Armenisë, Nikol Pashinian.
“Presidenti i Republikës e ritheksoi përkushtimin e Francës për integritetin territorial të Armenisë dhe e theksoi nevojën për një tërheqje të menjëhershme të trupave azere nga territori armen”, thuhet në deklaratën e zyrës së Macronit.
Sipas njoftimit të autoriteteve armene, Pashiniani e falënderoi Macronin për qëndrimin miqësor ndaj Armenisë dhe se dy liderët diskutuan për përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së nxitur nga lëvizja e trupave azere përgjatë disa pjesëve të kufirit.
Të mërkurën në mëngjes, forcat azere raportohet se kanë avancuar disa kilometra brenda provincës Syunik të Armenisë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë, ato gjithashtu kanë shkelur dy segmente të kufirit mes dy vendeve të enjten, shkruan Free Europe.
Sidoqoftë, Azerbjaxhani tha se trupat e tij nuk kanë hyrë në Armeni dhe thjesht kanë marrë pozicione në anën azere të kufirit, në ato vende që nuk kanë qenë të qasshme gjatë muajve të dimrit.