Presidenti francez Emmanuel Macron i ka dërguar një letër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan duke deklaruar qëllimin e tij për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe.
Kjo, siç shkruajnë mediat turke, përcjell Telegrafi, është bërë e ditur të premten nga ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.
Sipas Çavuşoğlu, i cili foli me gazetarët gjatë kthimit të tij nga një vizitë zyrtare në Pakistan, Macron nënvizoi rëndësinë e Turqisë për Evropën dhe vullnetin e tij për të zhvilluar marrëdhëniet pozitive.
Çavuşoğlu vuri në dukje se të dy udhëheqësit së shpejti mund të flasin përmes videokonferencës ose një thirrje telefonike për të diskutuar marrëdhëniet si dhe çështjet rajonale, duke përfshirë luftën kundër terrorizmit, Libinë dhe Sirinë.
Ndryshe, Turqia ka pasur vazhdimisht përplasje me Francën për politikat në Siri, Libi, Mesdheun Lindor dhe Nagorno-Karabakh, si dhe për botimin e karikaturave të Profetit Muhamed në Francë.
Këto “tensione” janë rritur në nivele të reja muajt e fundit ndërsa Franca ka lëvizur për të goditur disa grupe myslimane pas disa sulmeve në tokën e saj.