Macroni me akuza të rënda ndaj qeverisë britanike

Prishtinë | 10 Dhj 2021 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten se raportet e vendit të tij me Britaninë e Madhe janë të tensionuara për shkak të peshkimit, migracionit dhe sigurisë, sepse, sipas tij, qeveria britanike nuk e bën atë që thotë se do ta bëjë.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, presidenti francez gjithashtu tha se Britania e ka shtyrë përpara paktin e sigurisë, AUKUS, mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë e Australisë, që bëri që kjo e fundit të anulonte një kontratë miliardëshe me Francën për blerjen e nëndetëseve.

Anulimi i marrëveshjes me rëndësi të madhe financiare nxiti reagime të ashpra në Francë, me akuza se aleatët e saj ia kanë ngulur thikën në shpinë, por komentet e Macronit e shënojnë herën e parë që ai publikisht e akuzon Mbretërinë e Bashkuar se ka qenë “promovuese e flaktë” e marrëveshjes rivale.

“A mund ta injoroj faktin se britanikët ishin, siç duket, promovues të flaktë të një kontrate që qëllimisht luftoi kundër interesave të Francës në Indo-Paqësor për ndërtimin e një vizioni ekskluziv alternativ”, deklaroi presidenti francez.

Sa i përket krizës me emigrantë, e cila i tensionoi edhe më shumë raportet mes dy fuqive evropiane pas mbytjes së 27 emigrantëve gjatë përpjekjes për ta kaluar Kanalin Anglez, Macroni tha se për këtë fajin e kanë politikat e Britanisë për punësimin, shkruan Reuters.

Sipas tij, modeli ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar është i mbështetur në punën e paligjshme, duke shtuar se do të ketë probleme derisa një gjë e tillë të rregullohet.

Sidoqoftë, në të njëjtën konferencë për gazetarë, duke u munduar të jepte një ton më pajtues, presidenti francez tha: “E dua Britaninë, e dua popullin e saj, lakmoj një qeveri që thjesht dëshiron të punojë në mirëbesim me ne”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme