Pikërisht në ditën kur Kroacia ka shënuar gjashtëvjetorin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjë që kryeministri i këtij shteti, Andrej Plenkoviq e quajti si “sukses historik”, presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka përsëritur rezervat e tij ndaj vazhdimit të procesit të zgjerimit.
Ai ka shfrytëzuar rastin që mospajtimet e thella mes shteteve të BE-së t’i përdorë si argument kundër zgjerimit të mëtejmë pa reformat e BE-së, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ne duhet të mendojmë se si t’i thjeshtëzojmë procedurat tona dhe të sigurojmë një funksionim kolektiv më demokratik. Dhe unë jam më shumë sesa skeptik në këtë kontekst ndaj të gjithë atyre që na thonë se e ardhmja e BE-së është në një zgjerim të ri. Kur ne nuk mund të pajtohemi në nivelin e 28 shteteve – unë do të pajtohem me atë gjë, dhe në fakt, unë do të refuzojë çfarëdo zgjerimi para se të kemi reformat e thella për funksionimin e institucioneve tona”, ka thënë Macron.
Presidenti i Francës i ka bërë këto komente pas takimit maratonik të shefave të shteteve apo qeverive të BE-së në Bruksel, në të cilin kanë dështuar që të pajtohen rreth emrave të personave që do të udhëheqin institucionet kryesore të BE-së në periudhën e ardhshme pesëvjeçare.