Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë para gjykatës së SHBA-së të hënën në New-York. I veshur me uniformë të burgut, Maduro ka dalë para gjykatës për t’u përballur me akuzat për narko-terrorizëm. E, pak para seancës ndaj tij, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur mbledhje urgjente, gjatë së cilës palët kanë paraqitur pikëpamje të ndryshme për operacionin amerikan në Venezuelë
(BBC, AP) – Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë të hënën para gjykatës amerikane në New-York, bashkë me gruan e tij, ku është përballur me akuzat për narkoterrorizëm, të cilat administrata Trump i përdori për të arsyetuar kapjen dhe dërgimin e tij në SHBA.
Gjatë seancës dëgjimore ai ka thënë se është ende president i Venezuelës teksa nuk ka kërkuar lirim me kusht.
Seanca e radhës ndaj tij është caktuar për 17 mars.
Maduro po ashtu ka deklaruar gjatë seancës së është një “i burgosur lufte”
Transferimi i Maduros dhe gruas së tij nga burgu për në gjykatë kishte filluar me momente dramatike të hënën. Zhurma e prangave në këmbë të Maduros mund të dëgjohej para se ai të hynte në sallën e gjyqit, ku ai është kthyer, ka tundur kokën dhe duket sikur u ka thënë “buenos dias” disa personave në sallë.
Momenti më i tensionuar ishte në fund të seancës, kur një anëtar i publikut filloi t’i bërtiste në spanjisht Maduros se ai do të “paguajë” për atë që kishte bërë.
Mirëpo Maduro është kthyer nga ai dhe është përgjigjur në spanjisht se ai ishte një “president i rrëmbyer” dhe një “rob lufte” përpara se të shoqërohej jashtë i lidhur, pas gruas së tij, përmes derës së pasme të gjykatës.
Çifti u transportua nën masa të rrepta sigurie të hënën herët nga burgu i Bruklinit ku është duke u mbajtur, për në një gjykatë të Manhattanit.