Larg përfundimit janë punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, e cila ka nisur punimet tash e sa vite.
Ndërprerja e punimeve vazhdojnë të shkaktojnë ankesa të qytetarëve të cilët e përshkojnë këtë rrugë çdo ditë e të cilët ankohen për kolona të gjata. Megjithatë, nga Ministria e Infrastrukturës thonë se punimet do të rifillojnë së shpejti.
Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë nuk po punohet tash e disa muaj. Qytetarët që e përshkojnë këtë rrugë çdo ditë, janë pesimistë se ajo do të rregullohet së shpejti.
Ata ankohen për pritjet e gjata në kolona.
“Qysh ka filluar deri tash, që sa vjet, nëse vazhdon kështu ndoshta rreth 2030 kryhet. Pasdite sidomos është kolonë shumë e madhe, dy orë bën prej Prishtinës deri në Mitrovicë, është tmerr a”, tha për RTK qytetari Sadri Imeri.
“Ndonjëherë shumë po presim, por, po shpresojmë që do të rregullohet ishalla”, tha qytetari Hysni Berisha.
Por nga Ministria e Infrastrukturës thonë se punimet do të rifillojnë së shpejti.
“Janë hap ofertat, ka mbet me u shpallë fituesi. Procedurat tenderuese janë më të thjeshta se procedurat tjera të rregullta që bëhen me buxhet të Republikës së Kosovës, kjo meqë është me buxhet me fondin arab. Tash sa janë hap, në javën që shkoi dhe presim përzgjedhjen e fituesit, nënshkrimin e kontratës dhe fillimin e punimeve. Besoj shumë shpejt. Është nda buxheti, kontrata parasheh një vit deri në realizim”, tha për RTK, Liburn Aliu, ministri i Infrastrukturës.
Derisa të rifillojnë e të finalizohen punimet në këtë rrugë, qytetarët do të vazhdojnë të presin më orë në kolona.