Magjistratë, apo analfabetë të ligjit

Prishtinë | 23 Sht 2016 | 09:47 | Nga Ismet Isufi

“Në të mirë të tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; ndarë nga ligji dhe drejtësia është më i keqi” – Aristoteli

Në kulmin e të nxehtit të fund-korrikut dhe të “luftës” për Reformë në Drejtësi, trupi gjykues: Kastriot Selita (kryesues), Altina Nasufi (Relatore) dhe Arlinda Selimi, u ngjitën në podiumin e Shtëpisë së Drejtësisë të Apelit të kryeqytetit Tiranë. Me gjakftohtësi e bindje të thellë të brendshme, ndikuar së jashtmi prej keq-politikës, xhepit e karrierës, gjithë solemnitet “Në emër të Republikës” shpallën vendimin më skandaloz dhe më qesharak të Padrejtësisë, për moskthim të diferencave të pensionit të mbajtura paligjshmërisë nga Pa-sigurimet shoqërore, në të kundërt të 4 mijë vendimeve të gjykatave të të gjitha shkallëve, që u kanë dhënë këto diferenca ushtarakëve në lirim, objektivisht në të njëjtat kushte.

Për të treguar “Drejtësi”, në mënyrë cinike dhe fyese vendos kthim të 290 mijë lekëve gjysme keq-llogaritje për 5 nga 12.5 vitet, e cila është fiks sa shpenzimet e paguara, me dhe pa faturë, nëpër dyert e gjykatave për 4 vjet rresht.

Me këtë shkrim nuk kam qëllim të shfryj pakënaqësi dhe të sulmoj padrejtësisht gjykatën e gjyqtarët meqë nuk m’u dha e drejta, mbasi nuk bëhet kiameti, nuk pengohet as Vettingu, as Reforma dhe as Integrimi! Jo! Por nuk mund të hesht e të mos them të vërtetën, të mos denoncoj, me fakte gjyqtarë e kryetarë që shkelin haptas ligjin, që të verbuar për karrierë e pushtet, kanë humbur dinjitetin njerëzor, shpërdorojnë pushtetin e besuar dhe jetojnë në kurriz të njerëzve të thjeshtë e të varfër, i përçmojnë, i vjedhin, i diskriminojnë në të drejtat e tyre, deri edhe pakësim të pensionit, si i vetmi burim jetik.

Situata është alarmante jo thjesht për mua, që jam në buzë të varrit, por për gjithë shoqërinë, sidomos për brezin e ri, të papunë e të zhgënjyer, që duan një shoqëri të drejtë e normale, e jo të jetojmë me ankth orë e çast, me mendje të ikim nga sytë këmbët, deri prapa diellit, për t’i shpëtuar mallkimit e për të mbijetuar.

Ky vendim Padrejtësie nuk përbën lajm, s’është as i papritur, dhe as për t’u habitur. Të shkojë në gjykatë pensionisti 70 vjeçar se Pa-sigurimet shkelin ligjin, i vjedhin pensionin, është kuturisje e madhe, ku në mos 100%, më e pakta 90% ka të drejtë, se nuk ankohet ndaj individit, por ndaj administratës shtetërore, pra pensionisti kundër pushtetit ekzekutiv! Dhe gjykata, si arbitrare e paanshme, në vend që në pajtim me ligjin, të mbrojë dhe pensionistin, kthehet me më të fuqishmin, dhe siç thotë mendjendrituri Monteskje, në këtë rast, gjykata kthehet në pushtet tiranie.

Të shkojnë në gjykatë mijëra ushtarakë, që nuk ndodh në asnjë vend qoftë më i prapambeturi në botë, ky është skandal shtetëror, tregon dhe degradimin në sistemin tonë të drejtësisë, që tashmë dihet nga të gjithë, madje shqyen bulçitë edhe të huajt.

Shkova në këtë gjykatë pa zarf, se s’kisha; pa avokat, se s’desha përkthyes, dhe ngaqë çështja është fare e thjeshtë: Për 4 veprime aritmetikore të llogaritjes së pensionit sipas ligjit. Shkova për Drejtësi dhe mora Padrejtësi, më saktë Dreqësi! Historia e vendimit është sa për të qeshur dhe për të qarë. Gjykata e të parës shkallë, i quajti të paligjshme veprimet e Pa-sigurimeve në 10 vite, jo për 12 vite.

U ankova dhe për 2 vjet e tjera, ndaj u gjenda në Apel! Por ika nga shiu dhe rashë në breshër, e në mos më keq! Doja të shtoja, humba dhe ato që pata. Treshja gjykuese, nuk i afrohet gjëkundi gjykimit në të parën shkallë. Me “guxim”, me gjakftohtësi e bindje të plotë, ngaqë është “vrarë” frika se askujt nuk i ka hyrë deri më sot asnjë gjemb në këmbë për shkelje ligji, nuk zbaton as për be asnjë dispozitë të Kushtetutës, të ligjit material e atij procedural, as vendimet e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, të detyrueshme për të.

Nuk bëri as hetim, as analizë provash, apo të situatës faktike e ligjore që i parashtrohej. Edhe kur u parashtron problemet, bën si kur të dëgjon e nuk reagon: “Fol o mur, fol o gur”! Gjithçka bëhet formale, sepse vendimin e ka paragjykuar e paravendosur me kohë. E cilësova qesharak, madje ai është më tepër se kaq, është fyes, i turpshëm, një njollë e zezë për vetë ata, për Gjykatën dhe sistemin tonë të Dreqësisë.

Është i tillë sepse këtë vendim të kësaj Gjykate, në kryeqytet, e rrëzon dhe një adoleshent, që di të kryejë 4 veprimet e thjeshta aritmetikore, apo edhe një student i vitit të parafundit juridik. Konkretisht, llogaritur nga dy ekspertët, gjetur si me qiri e të dy-punësuar prej Gjykatës, të mirë-paguar nga unë, pensionisti, diferenca e pensionit të ligjit dhe atij të paguar nga Pa-sigurimet është 3633 lekë në muaj.

Një nxënës i fillores e zgjidh se për 12.5 vjet, kjo shumë e mbajtur paligjshmërisë, arrin 544.950 lekë (3633 x 12 muaj x 12.5 vjet)lekë, ndërsa me rritjet të vite, në 904.000 lekë.

Pa fol për alogjizma e marrëzira të tjera të ekspertëve të licencuar, vetëm kjo llogaritje adoleshenti tregon qartazi konkluzionin se kemi të drejtë ta quajmë të turpshëm dhe fyes, e gjithfarë epitetesh: jo vendim Gjykate por Sakat-Gjykate që shënon shumën 290 mijë?! Madje vetë gjyqtarët s’janë të një mendjeje. Arlinda Selimi, në Mendim Pakice, është pjesërisht kundër shumicës (kryetarit dhe relatores), dhe e çon vlerën në 805 mijë! Por pjesërisht ama, paçka se jo pjesa (çereku), por e tëra është mysybet, e kundërligjshme!

Kryetari Kastriot Selita vetëm sa çel e mbyll seancat, lexon ç’ka shkruan relatorja Altina Nasufi, shkel rregullat proceduriale dhe gjithë barrën që ka vetë gjykata për shqyrtim, e redukton në një llogaritje absurde, detyrë që ai i ngarkon ekspertes kontabël (?!). Akt-ekspertimin e kish përpara syve, bërë në shkallën e parë, dhe ja bënte “Muuu!”, por gjykata nuk e shikon fare këtë fakt juridik, nuk e analizoi, nëse qe bërë keq e të meta dhe nëse duhej bërë një akt i ri! Për këtë procedurë, dhe të tjera, kjo treshe nuk jep as një minimum arsyetimi, të argumentojë ligjërisht se çfarë faktesh e rrethanash do t’i nënshtrohen ekspertimit dhe përse ndryshon vendimin e shkallës së parë.

Si Asin nën mëngë, kryetari nxori emrin e ekspertes, e njohur prej tyre, që të bëjë ekspertim të ri. I bëri me dije përgjegjësinë penale, për ekspertim të rremë dhe ftoi të bëjë betimin: “Do të kryejë me nder dhe mirë detyrën, me qëllim që t’i bëjë me dije gjykatës vetëm të vërtetën”.

Por, siç e dimë, gjyqtarët, kryetarët, deputetët, e deri te Presidenti, betohen solemnisht për zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve! Por nuk janë betuar kurrë se do mbajnë betimin, dhe as janë ndëshkuar kur shkelin hapur Kushtetutën, si kryeligj, dhe ligjet e tjera. Kështu ndodhi edhe me eksperten. Në vend të detyrës për ta kryer me nder, solli një akt, që vetëm nder nuk gjen, por fund e krye qeder, gënjeshtra, një akt të rremë, jo siç kërkon ligji, por siç dikton kryetari, (apo treshja), akt tërësisht i duarve të pista, jashtë kuadrit ligjor, dhe për pasojat që sjell përbën një vepër kriminale, të dënueshëm deri penalisht nga ligji, sepse mbulon vjedhjen, fsheh realitetin, dhe më dëmton rëndë ekonomikisht.

Por, ndërsa i ngremë pretendimet për shkelje ligji dhe isha gati të kërkoja përjashtim të ekspertes dhe procedim penal për akt të rremë, gjykata më mashtroi, e më preu në besë: “Pasi ta studioni aktin, i paraqesin pretendimet dhe ne do t’i gjykojmë me drejtësi”. Megjithëse ua “torra hollë e gjatë” të gjitha shkeljet e ligjit, me shkrim e me gojë, (të incizuara) ndodhi e pabesueshmja: Gjykata nuk lëvizi qimen nga qulli, nuk bëri fare as gjykim, as arsyetim, dhe vuri aktin e kundërligjshëm si bazë në vendimin e saj skandaloz të Padrejtësisë.

Disa nga “shpikjet”dhe shkeljet e ligjit. Qysh në fillimet e veta ISSH, “shtet” mbi shtetin, nën drejtimin e Qeverisë “Demokratike” nuk zbatoi asnjë ligj të ushtarakëve në vite për sigurimet suplementare. Madje çuditërisht kjo gjendje vazhdon edhe sot.

Kjo bëri që mbi 5 mijë ushtarakë në lirim (15 mijë të tjerë s’i patën mundësitë) u janë drejtuar dyerve të gjykatave dhe gati 4 mijë kanë fituar të drejtat e tyre, falë edhe meritës së shumë gjyqtarëve që me integritet e aftësi profesionale përballuan presionet e tre pushteteve dhe zbatuan ligjin.

Fillimisht Pa-sigurimet shoqërore “shpikën ligjin” absurd, që i trajton oficerët si civilë çfarëdo, gati si karrocierë, se: “pensioni i parakohshëm i ushtarakëve nuk duhet ta kalojë pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”, dhe caktuan një lloj pensioni hibrid, që s’ish as pleqërie dhe as i ushtarakut.

Më pas, kur dolën ligje të tjera, bënë “shpikjen” e dytë, më absurde se: “për zbatimin e këtyre ligjeve, nuk kanë dalë aktet nënligjore prej Këshillit të Ministrave, ndaj nuk i zbatojmë!, dhe nuk e zbatuan! Edhe detyrimin ligjor për rillogaritje pensioni sa herë ndryshonin pagat e ushtarakëve aktivë, nuk e zbatuan kurrë, duke dëmtuar rëndë ekonomikisht ushtarakët në lirim?! Më tej “e ndihmoi fati”: Njeriu Antishtet e Anti-ligj, që vuri nën hoqëm tre pushtetet dhe ndryshoi ligjin 10142/’09 me aktin normativ nr.5/2010.

Dhe orë e çast ngrejn zërin për nenin 29 të tij si dhe vendimin 2/2013 të Gjykatës Kushtetuese; Përse bërtasin vetëm për këtë ligj, kur nga viti 1999 e deri sot nuk ka zbatuar asnjë ligj e asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese?! A nuk duheshin zbatuar edhe të parët? Po ç’kanë të veçantë ky ligj dhe ky vendim, a janë ata në të mirë të ushtarakëve, në respektim të kontributit të tyre kushtetuese e ligjor, dhe të kujdesit për mirëqenie sociale, që t’ua bëjnë jetën më të mirë, të qetë, të sigurt, apo në dëm të ushtarakëve, të Shtetit të së Drejtës, të Shtetit Ligjor!

Në historinë e jurisprudencës shqiptare, jo shumë larg, ky ligj, me ndryshimet që iu bënë me aktin normativ nr.5/2010, nga Qeveria Anti-ligj, do të cilësohet më antikushtetuesi i periudhës së trazicionit, sepse shkel hapur parimet e normat kushtetuese, shkel vendimin nr.33/2010 të Gj. Kushtetuese, posaçërisht për këtë ligj. Ai legalizoi penalizmin e hapur politik dhe ekonomik të armatës së ushtarakëve në lirim. Ky skandal i madh, që mori përmasa të plota nga të tre pushtetet, ka bërë që çështja u pensioneve të ushtarakëve të mbetet përherë “patatja e nxehtë” përvëluese e Qeverisë aktuale, çështja më e lakuar, e bërë tërkuzë, e s’po merr rrugën e zgjidhjes.

Pa-sigurimet nuk kanë bërë asnjë rillogaritje korrekte as me këtë ligj dhe nuk kanë zbatuar as me Vendimin 33/2010 të Gj.Kushtetuese, që cilësoi se pensionet do rillogariten vetëm nëse sjellim përfitime pozitive. Çuditërisht këta gjyqtarë, i referohen vetëm nenit 29 të ligjit, dhe jo 28 neneve të tjera para tij për zbatimin e ligjit. Nuk ndodh kurrë që një nen si ai 29, të shfuqizojë jo vetëm të gjitha nenet para tij, por të gjithë ligjin!

Kjo nuk vërehet nga syri i gjyqtarëve, verbuar prej keq-politikës, madje për më tepër të shkelet haptazi vendimi 33/2010 i Gjykatës Kushtetuese ,i detyrueshëm për zbatim. A nuk është “guxim” jo normal i gjyqtarëve që shkelin Kushtetutën dhe ligjin! Shkelje nuk flasin për integritet, profesionalizëm, pavarësi, paanësi, objektivitet e dhënie drejtësie.

Gjykata në këtë rast nuk jep drejtësi, por bën të kundërtën, mban arbitrarisht peng drejtësinë, mbron e stimulon padrejtësinë, ligësinë. Në “shpikjet” anti-ligj nuk mbeten pas dhe gjykatat. Sipas tyre, ri llogaritjet e pensioneve fituar me ligjet e mëparshme, do bëhet deri më 30.6.2009, dhe jo më pas kësaj date! Po cili ligj ndalon ri llogaritjen pas kësaj date? Asnjë! E ndalon vetëm “ligji” i Sakat-Gjykatës! Tjetër, rillogaritja do bëhet nga 13.5.2004 deri 30.6.2009, se atëherë ka hyrë në fuqi statusi i ushtarakut (ligji 9210), që heq kufizimin e shtesës së pensionit “Jo më shumë se pensioni maksimali pleqërisë në vend”.

Por ky ligj nuk e bën një diferencim të tillë, madje në vendimin nr.9/2007, Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë se ndarja e ushtarakëve në lirim para dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji është antikushtetues. Dhe trupi gjykues me kryesues Kryetarin e Gjykatës së Apelit, bash në zemër të kryeqytetit, çuditërisht merr “guxim” deri në lajthitje: nuk e lexon, nuk respekton dhe nuk zbaton këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, pra del mbi këtë Gjykatë?!

Magjistratë, apo analfabetë të ligjit. Të kesh durim e të lexosh “serinë” të neneve e ligjeve që mbushin 29 faqe të vendimit, hartuar nga Altina, firmosur nga Kastrioti e Arlinda, nuk do të gjesh as për be’, asnjë analizë apo një minimum arsyetimi se si janë zbatuar realisht.

Nga të katër elementët thelbësorë të së drejtës: ligji, fakti, prova dhe arsyetimi, trupi gjykues jo vetëm që nuk është mbështetur në to, por vepron në kundërshtim të hapur me parimet e normat e sanksionuara në Kushtetutë, me kërkesat e ligjeve për ushtarakët të viteve 1991-2009, si dhe ato të Kodit të Procedurës Civile. Ja pse vendimi i marrë prej saj, është jo vetëm i pabazuar në ligj, i pa drejtë, madje përbën një vendim skandaloz, një njollë të zezë për vetë gjykatën, dhe sistemin tonë të drejtësisë.

Të mos harrojmë se këta gjyqtarë kanë kartonin “Magjistratë”, janë ajka, kandidatët e parë për më lart, brenda e jashtë. Por arsyetimet e tyre, qoftë dhe të pakta janë tërësisht alogjike. Vërehet lehtë se në gjithçka veprojnë mbrapsht, ligjin e kthejnë në antiligj, zhbëjnë deri edhe aritmetikën universale.

Është e dhimbshme por realitet, e shprehur qartë me shkrim, firme e vulë, që zhbëjnë dhe shqipen, nuk dinë (apo s’duan) kuptimin e termave: status i ushtarakut, përfitim suplementar, përfitim shtesë, mbi ato të sigurimeve shoqërore, pagë bazë, pagë referuese, ndryshim, rritje e indeksim pensioni etj. Oficerin e trajtojnë si civil të rëndomtë.

Në testim janë vlerësuar “shkëlqyeshëm”, nota 10; emëruar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë! Në praktikë kthejnë gjithçka përmbys. Po të kthejmë përmbys notën, del fiks 01, dhe saktësisht na tregon se këta “Super-magjistratë”, duhet të kthehen në klasën 01 fillore, të mësojnë shqipen, aritmetikën, ligjin dhe mbi të gjitha njerëzillëkun, respektin ndaj njeriut.

Ekspertë kontabël apo palo-llogaritarë: Për t’a bërë të besuar Padrejtësinë e vet, Gjykatat si me qiri, kanë gjetur “ekspertë” kontabël, demek me njohuri të posaçme për konstatimin e sqarimin e fakteve e rrethanave të çështjes, paçka se llogaritja e pensionit nuk kërkon ndonjë inteligjencë të lartë.

Por të zgjedhur me qiri, jo si mesazhi madhështor i filozofit të shquar grek Diogjeni, që ditën me diell në mes të Athinës me qiri në dorë, i dha njerëzimit shprehjen brilante, magjinë njerëzore të fjalës: “KËRKOJ NJERIUN”, pra njeriun e mirë, të ndershëm, të virtytshëm, dinjitoz.

Por në gjykatat tona është vështirë të gjejmë të Mirin Njeri. Siç janë katandisur, gjykatat kanë mbledhur rreth vetes jo të mirët ekspertë (ka mjaft të mirë), por sojin e vet, ata pa shtyllë kurrizore, pa integritet. Kur i pyet sa bëjnë 2+2, përgjigja është: Sa të doni ju, Zotëri! Pra, nga kontabilistë profesionistë kthehen në palo-llogaritarë të plep-kursit të vjedhjes ”Bode”, që mashtrojnë, ndryshojnë formula ligjesh, deformojnë akte zyrtare, manipulojnë shifra, që fshehin akte nënligjore, që pensionistit jo vetëm të mos i japin lekët e mbajtura padrejtësisht, por ta kthejnë në borxhli.

Kontabiliteti është fushë e shkencës ekzakte, ndaj është absurde, që ekspertja kontabël e licencuar, e thirrur nga gjykata, bëhet “e plotfuqishme” deformon formulën e ligjit, si dhe aktet nënligjore e ato zyrtare, i përdor sipas “porosisë” së gjykatës e Pa-sigurimeve dhe jo sipas ligjit, ndaj na paraqet tre variante, tre shuma pensioni fillestar, tri diferenca të papaguara, që do të thotë se E Vërteta, që është Një, shoqërohet nga dy të pavërteta (gënjeshtra).

Nga 20 pyetjet bërë ekspertes për marrëzitë në akt-ekspertim, njëra është: A janë të ligjshme këto tre variante llogaritje pensioni, dhe cili variant është i vërtetë? Ekspertja kontabël me licencë mbetet “memece”, s’jep përgjigje dhe shton: “E di gjykata, ajo vendos cila është e ligjshme”; Ndërsa gjykata shprehet: “Atë e di ekspertja, ajo është kompetente për llogaritjen”. Dhe gjykata bëhet sakate, shurdhe, memece, e verbër ndaj shkeljeve të ligjit nga ekspertja, sepse vetë ia ka diktuar ato.

Siç shihet, nuk kemi vendim Gjykate, por Sakat-Gjykate dhe dihet se sakatllëku i mendjes, kur bëhet fjalë për drejtësinë, ose kurohet,ose izolohet, ndryshe po e le të lirë, bën hatanë, rrezikon me vdekje shoqërinë, veç jo me prerje koke, apo me armë, por me vdekje të ngadaltë, të heq bukën e gojës, të drejtën për të jetuar në normalitet e në siguri.

Gjykata “fshihet” pas shifrave të “ekspertes”, kjo e fundit, mbrohet nga “bunkeri” gjykatë! Si dy duar, njëra lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën, si gjykata dhe ekspertja i lajtën duart, si Ponc Pilati, betohen për “nder” e “të vërtetë” e të tilla s’ka. Dhe midis dy gënjeshtrave, zgjedhin më të madhen, më qesharaken,me diferencën më të vogël, që kënaq Pa-sigurimet-Gjykatën-Eksperten, bashkëpunim “shembullor” i shkeljes së ligjit, që në një Shtet të së Drejtës janë të parët që meritojnë të dalin përpara organeve të drejtësisë! Kush shkel ligjin ndëshkohet. Shoqëria dhe kryesisht Drejtësia duhet të pastrohet nga të kriminalizua-rit.

Gjurmët e krimit janë aty, në dosjen gjyqësore, me shkrim, firmë e vulë, nga vetë dora e tyre, lehtësisht të verifikueshme, pa nevojë ekspertësh ndërkombëtarë. Më e pakta të mos ushtrojnë profesionin, dhe më e plota të jenë prapa hekurave, të lajnë mëkatet e shkeljes së ligjit. Pa ndëshkueshmëria, papërgjegjshmëria dhe padrejtësia janë të këqijat më të mëdha e më të rrezikshme, kob-sjellëse për të gjithë shoqërinë tonë.

Na duhen gjyqtarë në gjykatë që tregojnë se “Drejtësia është mbi gjithçka”. Jam befasuar e zhgënjyer, se nuk e mendoja një nivel të tillë paaftësie, papërgjegjshmërie e “guxim” nga këta gjyqtarë në Apel, moshatarë me tim bir, që “arsyetojnë” e veprojnë si adoleshentë, apo më keq se një student i fundvitit, dhe ku se: në sistemin më nevralgjik e jetik, atë të Drejtësisë.

Nuk e imagjinoja të shkelin kaq haptas krye-ligjin, Kushtetutën, ligjet në fuqi, apo të më injoronin duke “shitur” açik antiligjin për ligj, të zezën për të bardhë, të zhbënin dhe shqipen edhe aritmetikën universale. Le të jesh i moshuar, të kesh dije e përvojë, ata nuk të përfillin, të shumëzojnë me zero! E kanë bërë veten “mbret”, “Ligji jam unë”.

Të jesh gjyqtar, më tepër sesa profesion është personalitet, që përmbledh tërësinë e veçorive psikike, tipareve e virtyteve më të larta të sjelljes, mendimit e veprimit, që e bëjnë të vetëdijshëm, të dalluar nga të tjerët, për shkak të misionit gati hyjnor që i është besuar gjykatës në funksionimin e shtetit e të shoqërisë në kohët moderne: dhënien e Drejtësisë, ngaqë Drejtësia është e Shenjtë për Njeriun.

Në vendet me standarde demokratike të konsoliduara, po se po që vendos ligji, por është edhe morali dhe etika, që jo vetëm nuk lejon por dhe të dënon, e të nxjerr përfundimisht jashtë loje në tentativën më të vogël, të mosdhënies së drejtësisë. E ndjejmë shumë, mungesën e një burrë shteti, a gjykatësi, si Lordi Uilliam Murray, reformator i ligjit anglez, Kryetar i Gjykatës së Lartë. Në sallën e gjyqit në çështjen e anijes “Zong” më 1783, lëshoi deklaratën “bombë”: “Le të bëhet drejtësia, pa qiejt të përmbysen”.

Ndërsa ne, jemi dënuar të vuajmë, e të durojmë sot botën e krimit e të padrejtësisë në vënd, se ende nuk kemi burra shteti, politikanë e gjyqtarë si Uilliami! Por, vazhdojmë të shpresojmë, megjithëse gjendja e Drejtësisë është tepër e rëndë, në agoni!

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme