Me rastin e Ditës se Veteranëve të Betejës së Koshares, trajneri i xhudos, Driton Kuka dhe ish-kampionja e këtij sporti, Majlinda Kelmendi janë nderuar me Çmimin “Ditët e Shqipes”, për veprimtari te përgjithshme, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ceremoni u fol për luftën në këtë betejë dhe rënien e ish-komandantit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Salih Çekaj.
Ish-komandanti, Rrustem Berisha, tha lajmin për rënien e dëshmorit Salih Çekaj e kanë përjetuar rendë por që janë munduar ta shndërrojnë në forcë.
“Sot shënojmë ditën e veteranëve të brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe 23 vjetorin e heroit Sali Çekaj. Salihu ishte njeri i pendës e pushkës, me pendë synonte dijen e me pushkë çlirimin e mbrojtjen e atdheun. Me guxim bashkoi dijen e pushkën. Periudha kohore kur punoi Sali Çekaj ishte periudhë e vështirë, dhe ka shumë aktivitete politike”.
“Vërtetë takimi, qëndrimi i tij e biseda që ai i zhvillonte me bashkëluftëtarët ishin shembull dhe mbresëlënës për të gjithë neve. Ka luajtur një rol unifikues të faktorit ushtarak e politik. Në takimet e tij theksonte se jemi komb i vogël e duhet të bashkoheni, e të mos ndahemi”, tha Berisha.
“Lajmin për rënien e Salih Çekajt e kemi përjetuar shumë rëndë, dhimbjen jemi munduar ta shndërrojmë në force. Deri në fund u kemi qëndruar besnik, betimit. Liria, kjo pasuri është tejet e vështirë për t’u fituar dhe është tejet e brishtë e kërkon kujdes të veçantë. Ky popull e din dhe respekton kategorinë që solli lirinë me krahët e pushkës”, tha Berisha.
Trajneri i xhudos, Driton Kuka, tha sportisët e këtij sporti janë shembulli më i mirë se Kosova e ka merituar lirinë. Tha se së bashku me garuesit tjerë po e ndjekin një vazhdimësi të betejave të luftërave që i ka bërë UÇK-ja.
“Është kënaqësi e privilegj që jemi këtu sot, kemi pas dëshirë me qenë me datën 9 prill kur është shfaqja e manifestimit kryesore i një brigade kaq të lavdishme. Unë me Majlindën e garueset tjerë po e ndjekim një vazhdimësi të betejave e luftërave që ju i keni bërë”.
“Majlinda është shembull i mirë se populli shqiptar e ka merituar lirinë, deri sa kem tri e të reja të këtij kalbri nuk duhet të frikësohemi”, tha Kuka.
E ish-kampionia e botërore e xhudos, Majlinda Kelmendi, tha se nuk është pishman pasi i ka refuzuar milionat nga shtetet tjera.
“Po ndihen shumë e vogël në mesi tuaj, përshëndes dhe falënderoj familjarët e veteranëve të luftës. Unë jam me fat që kam arrit me punën time bashkë me Tonin me ngrit flamurin tonë. Nuk jam pishman që i kam refuzuar milionat prej shteteve tjera”, tha ajo.
Në emër të familjes, foli mbesa e Salih Çekajt, Lendita. Ajo kërkoi më shumë detaje për betejën e Koshares.
“Ne si familje e dëshmorit siç ishte baci Salih jemi gjithnjë më të interesuar të informohemi në detaje rreth kësaj beteje. Më në fund uroj të ketë ardhur koha që përveç përkujtimit, pjesëmarrësit e asaj beteje që gjenden në mesin tonë të sjellin faktet dhe të dhënat në mënyrë që të kemi qasje”, tha ajo.