Kampionia e vetme Olimpike e Kosovës, Majlinda Kelmendi, nuk e ka fituar asnjë sponsor që nga vitit 2016, madje i ka humbur disa që i kishte.
Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, shkroi historinë për Kosovën në vitin 2016 në Lojërat Olimpike të Rios, ku e fitoi medaljen e artë të kategorisë së saj në xhudo, duke u bërë kampionia e vetme Olimpike e Kosovës, raporton Gazeta Express.
Mirëpo, kjo arritje historike nuk i ndihmoi financiarisht, sa i përket sponsorëve, xhudistes nga Peja. Çuditërisht, që kur u bë kampione Olimpike, Kelmendi i ka humbur disa sponsore dhe nuk e ka fituar asnjë.
“Unë jam bërë kampione Olimpike dhe prej vitit 2016 nuk ka ardhur asnjë sponsor i ri për mu. Ka qenë e kundërta. I kam pasur tre sponsorë, ndërsa sot për sot e kam vetëm një, e kam ujin “Akull””, ka thënë Kelmendi.
“Kjo është për me u çudit. Nuk e di as vetë pse ndodh kjo, nuk është që Kosova i ka 200 kampionë Olimpikë, e ka vetëm një”, përfundoi ajo.
Kelmendi e kaloi pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke u rikuperuar nga një lëndim i saj. Mirëpo, vitin 2018 e përfundoi me medalje të artë, qysh në garën e parë në të cilën mori pjesë pasi u rikuperua.
Xhudistja kosovare e ka fituar një medalje të artë edhe këtë vit, ndërsa në Grand Prixin që është duke u zhvilluar aktualisht në Gjeorgji nuk po merr pjesë, pasi që po pushojnë bashkë me disa kosovarë të tjerë, si Distria Krasniqi e Akil Gjakova.