Majlinda, ti bëre një gabim që fitove medaljen. Nëse ti nuk do të fitoje, “patriotët” tanë do të ishin në gjumë ose duke i kthyer kurrizin ose barkun diellit për të marrë ngjyrë buzë detit.
Askush nuk u interesua se çfarë flamuri përfaqësoje ti para nisjes, mbase nuk besonin se ti do të shpalleshe kampione. Ndaj nuk u morën me ty.
Tani Nëna Shqipëri duhet të krenohet dhe jo të xhelozojë që bija e saj po njihet ndëkombëtarisht dhe ky është shërbimi më i mirë diplomatik që mund t’i behej një shteti të ri si Kosova.
Mediat serbe edhe italiane filluan baltosjen e fitores, nën hetimin për doping. Shpresoj të mos gëzohen ata që u mërzitën se ti nuk garove nën flamurin kuq e zi.
Lotët e gëzimit që të rridhnin ishin kuq e zi, shqiponja që bëje me duar ishte kuq e zi, zemra e jote rreh kuq e zi dhe shërbimi për njohjen e kosovës është shërbimi më i mirë që i ke bërë kombit shqiptarë.
Ndaj ti meriton të pritesh si heroinë, ti meriton falenderimet e shqiptarëve në mbarë botën, se ti je simboli që shqiptarët munden të bëjnë mrekulli dhe kur janë bashkë, në të ardhmen do të jenë nën flamurin kuq e zi, me një kampionat, me një federatë, ashtu siç mund të kemi konsullata të përbashkëta, ndaj “patriotë” mos u mërzisni, Majlinda fitoi për shqiptarinë, fitoi për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e kudo ku ka shqiptarë. Këtë më së shumti e vuajnë serbët, ndaj ju gëzohuni.