Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka bërë homazhe për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur shqiptar, Enver Petrovci, raporton Ekonomia Online.

Homazhe ka bërë edhe ministri i Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku i shoqëruar me ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci.

Enver Petrovci ishte një emër i njohur për publikun shqiptar.
Ai ishte një aktor dhe regjisor shqiptar. Fillimisht studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.
Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” me rolet e luajtura aty u bë i njohur në mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe.
Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, shqiptare dhe ndërkombëtare.
Petrovci ishte njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Nëvitin 1989 ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku dhe formohen kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.