Mali i Zi arreston ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë për shpërdorim detyre

Prishtinë | 19 Pri 2022 | 19:52 | Nga Ekonomia Online

Në Mal të Zi, policia ka arrestuar ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, Vesna Medenica. Mediat raportojnë se ajo do të qëndrojë në paraburgim për më shumë se 72 orë.

Ky vendim u mor nga prokurorja speciale, Natasa Boskoviç, përpara të cilës ish-kryetarja e Gjykatës mohoi akuzat për krijim të organizatës kriminale dhe influencë të paligjshme.

Medenica u mor në pyetje dhe më pas u dërgua në një qendër klinike në Mal të Zi për arsye shëndetësore, ku dhe ka qëndruar derisa prokuroria mori vendimin për arrestimin e saj.

Ajo u arrestua më 17 prill, rreth orës 22:00 në aeroportin Golubovci, teksa po përpiqej të largohej drejt Beogradit.

Burimet e cituara nga media malazeze informojnë se ajo kishte blerë vetëm biletën e vajtjes.

Vesna Medenica dha dorëheqjen në dhjetor, disa muaj pasi vendimi për t’i dhënë asaj një mandat të tretë si kryetare e Gjykatës së Lartë u kritikua nga Komisioni Evropian dhe nga OJQ-të në Mal të Zi.

Ajo tha se nuk donte të ishte pengesë në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe akuzoi mediat dhe OJQ-të se minojnë autoritetin e zyrtarëve gjyqësorë dhe mohojnë arritjet e tyre.

Medenica për herë të parë u zgjodh në krye të Gjykatës Supreme në vitin 2007 dhe u rizgjodh në vitin 2014 dhe 2019. Para mandatit të saj të parë ishte prokurore supreme e shtetit.

Por në vitet e fundit, opozita dhe OJQ-të e kanë akuzuar atë për rezultate të dobëta në reformat gjyqësore dhe për lidhje politike me Presidentin Milo Gjukanoviç dhe Partinë e tij Demokratike të Socialistëve, DPS, e cila sundoi vendin për tre dekada.

Të ngjashme