Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot në Gjilan është bërë hapja e Konsulatës së Republikës së Malit të Zi.
“Është nder i veçantë për Gjilanin dhe qytetarët nga Anamorava në përgjithësi, që kjo konsulatë vendoset këtu, rëndësia e së cilës është e madhe sepse kësisoj ndërtohen ura lidhëse ndërmjet qytetarëve të të dyja shteteve dhe ka një impakt pozitiv për zhvillim ekonomik dhe rëndësi të madhe për shkëmbimet tregtare”, ka shkruar Kadriu.
Kadriu ka njoftuar se këshilltari i kryeministrit, Gazmend Abrashi, është emëruar Konsul i Nderit i Republikës së Malit të Zi në Kosovë, me seli në Gjilan.
“Ky nder që i bëhet Anamoravës në përgjithësi, dhe Gjilanit në veçanti, nuk do të mund të realizohej pa angazhimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili për këto dy vite qeverisje, ndërtoi raporte të mira dhe serioze ndërmjet dy vendeve. Bashkë me kryeministrin Haradinaj, rol të madh ka luajt edhe këshilltari i kryeministrit, Gazmend Abrashi, njëherit edhe pronar i fabrikës së duhanit në Gjilan. Abrashi emërohet Konsul i Nderit i Republikës së Malit të Zi në Kosovë, me seli në Gjilan”, ka shkruar ai.