Mali i Zi në kërkim të naftës

Prishtinë | 20 Mar 2021 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Qytetarë të Ulqinit, por edhe të gjithë bregdetit malazez, janë të zemëruar për shkak të paralajmërimit se konsorciumi italo-rus “Eni-Novatek”, më 25 mars, do të nisë fillimisht me shpimin e puseve hulumtuese për gjetjen e naftës nën detin e Malit të Zi. Ata kanë frikë nga rrezikimi i mjedisit jetësor dhe i turizmit, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) gazetari dhe aktivisti nga Ulqini, Mustafa Canka.

Rrëfimi për hulumtimin e naftës dhe gazit nën detin e Malit të Zi, është në qendër të vëmendjes së opinionit, pasi që nga qeveria malazeze është paralajmëruar se më 25 mars, do të nisë shpimi i pusit të parë për hulumtim, i cili gjendet rreth 28 kilometra nga bregu i detit, në jug të Malit të Zi, në ujërat detare ndërmjet Tivarit dhe Ulqinit. Deri në fund të vitit 2021, do të bëhet e ditur se a ekzistojnë në këtë lokacion depozita të hidrokarbureve.

Pusi i dytë hulumtues do të jetë më afër bregut të detit, rreth 18 kilomtra largë nga aty. Do të jetë më i cekët dhe jo më i thellë se një kilometër e gjysmë.

Deri më tani, Mali i Zi i ka përmbyllur dy kontrata për hulumtimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit. Kontrata e parë është nënshkruar në vitin 2016, me kompaninë italo-ruse “Eni dhe Novatek”, për katër blloqe hulumtimi, për një periudhë prej shtatë vjetësh, ndërkaq kontrata tjetër është përmbyllur një vit më vonë me kompaninë greke “Energean”, për dy blloqe hulumtimi, me të njëjtin afat për hulumtim.

Lëvizja qytetare “Ura” (e Dritan Abazoviqit) do të fillojë nismën për shpalljen e referendumit për eksploatimin e naftës dhe gazit në Mal të Zi, ka njoftuar deputeti dhe nënkryetari i Iniciativës qytetare “Ura”, Millosh Konatar.

Nga Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, sigurojnë se do t’i mbikëqyrin të gjithë parametrat mjedisorë, që lidhen me gjendjen e ekosistemit detar, si dhe që pas shenjës së parë të prishjes së tij, do të veprojnë.

“Jo vetëm për shkak të ruajtjes së bregdetit malazez, por edhe për shkak të Kroacisë fqinje. Çdo rrjedhje eventuale e naftës, e gazit ose çfarëdo qoftë, për rreth 20 kilometra nga bregdeti ynë, mund të ndikojë në Kroacinë fqinje, për shkak të rrymave të detit që shkojnë në drejtim të saj”, tha për Radion Evropa e Lirë, sekretari i Ministrisë së Ekologjisë, Danilo Mërdak.

Ndonëse në qeveri sigurojnë që ruajtja e mjedisit jetësor është primare, ekologët dhe bashkësia lokale e kundërshtojnë ashpër këtë ide.

“Pa dilema, qytetarët janë unik për këtë çështje. Këtë nuk e kanë pritur nga qeveria. Ato aktivitete nuk janë të mira dhe paraqesin disfatë të madhe për shoqërinë dhe kthim në barbarizëm. Projekte të tilla vetëm sa e shembin dhe e degradojnë orientimin kushtetues të këtij vendi dhe e shembin shtyllën, në të cilën aktualisht qëndron qeveria”, tha Canka.

Për aktivistin ekologjik nga Ulqini, Mustafa Cankun, shpimet eksploatuese në det janë të barabarta me “vetëvrasjen”.

“Kjo është një ndërmarrje e çmendur që pas vetes lë shkretim në det dhe në bregdet, ndërkaq njëkohësisht e vë në rrezik ekzistencën tonë në këtë hapsirë. Është e domosdoshme që sa më parë të pezullohet ai projekt, veçanërisht në këtë situatë, kur në tregun botëror ka naftë të mjaftueshme, si dhe po kalohet në energjinë e gjelbër. Të këmbëngulësh për këtë është çmenduri dhe vetëvrasëse”, tha Canka.

Ai nuk pajtohet me optimizmin e ministrit Bojaniq, i cili ka thënë që Mali i Zi do të përfitojë nga kjo punë përfitime të rëndësishme dhe që kjo do të jetë një nga gjërat kryesore që do të bëjnë që Mali i Zi të mos jetë i varur vetëm nga turizmi dhe shërbimet.

“Në variantin më të mirë, në rast se gjendet nafta, do të përfitojmë 70 milionë në vit, ndërkaq në sezonat e mira kemi fituar një miliardë. Është çmenduri që për atë shumë të vihet në pikëpyetje ekonomia dhe ekologjia”, tha Canka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme