Një gjykatë në Mal të Zi konfirmoi padinë për 14 njerëz, përfshirë dy rusë dhe dy udhëheqës të opozitës pro-ruse, për rolin e tyre të dyshuar në një komplot për rrëzimin e qeverisë, vitin e kaluar.
Gjykata e Lartë në Podgoricë tha se padia përfshin akuzat për “përgatitje të konspiracionit kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Mal të Zi dhe përpjekje për akt terrorist”.
Procedurat gjyqësore duhet të nisin brenda dy muajsh, tha gjykata, raporton REL. Të pandehurit përfshijnë deputetët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, nëntë shtetas serbë, dy rusë dhe një tjetër malazez.
Zyrtarët dyshojnë se ata kanë bërë komplot për të marrë kontrollin e parlamentit gjatë zgjedhjeve parlamentare në tetor të 2016-ës, për të vrarë pastaj kryeministrin e atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq, dhe për të instaluar një udhëheqje pro-ruse, e cila do të parandalonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Prokurorët thonë se dy rusët e identifikuar si Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov kanë qëndruar në Serbi dhe se autoritetet atje i kanë lejuar të kthehen në Rusi.
Ata vazhdojnë të jenë në arrati.
Prokurori special i Malit të Zi ka thënë se “trupat shtetërorë rusë” kanë qenë të përfshirë në përpjekjen për grushtshtet, por një gjë e tillë është mohuar nga Moska.
Mali i Zi është bërë zyrtarisht anëtar i NATO-s më 5 qershor.