Mali i Zi ka thënë se Rusia nuk duhet të alarmohet nga anëtarësimi i vendit ballkanik në NATO. Këto deklarata kanë ardhur pasi Moska ka paralajmëruar hakmarrje ndaj “kursit armiqësor” të Malit të Zi dhe ka dënuar “histerinë anti-ruse”.
Më 5 qershor, Mali i Zi edhe zyrtarisht është bërë anëtari i 29-të i NATO-s, në një ceremoni të mbajtur në Uashington, raporton rel.
“Jemi dëshmitarë të pozitës së pafavorshme të Rusisë ndaj pranimit të Malit të Zi në NATO,” ka thënë, Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boskoviq.
“Unë sinqerisht shpresoj që, Rusia do ta kuptojë se kjo nuk ka të bëjë fare me ndonjë ndjenjë anti-ruse dhe se nuk ka histeri anti-ruse në Mal të Zi,” ka thënë Boskoviq, në një konferencë shtypi në Podgoricë.
“Përkundrazi, kjo është gjithashtu në interes të Rusisë, pasi paqja në Ballkanin Perëndimor është në interesin më të mirë të Moskës”.
Megjithatë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka përforcuar qëndrimin e Moskës, ndaj Malit të Zi.
“Ne kemi qartësuar tashmë qëndrimin tonë”, tha ai në një konferencë për shtyp në Moskë, duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë “të obsesionuar” me Ballkanin.
Ministria e jashtme e Rusisë përmes një deklarate në ditën e ceremonisë së pranit të Malit të Zi në NATO ka thënë se “histeria anti-ruse që po vazhdon në Malin e Zi ka “shkaktuar keqardhje” në Rusi.