Sot pritet të bëhet vazhdimi i seancës konstituive për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Kjo për shkak se pas marrëveshjes së mbrëmshme mes koalicionit PAN-AKR dhe Listës Serbe, janë siguruar numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve të vendit. Por, me arritjen e numrave po rriten edhe kërkesat e subjekteve pjesëmarrëse në koalicion.
Pas kërkesës së AKR-së që të ketë pesë ministri në Qeverinë Haradinaj, edhe Lista Serbe ka kërkuar që të rritet pazari, në mënyrë që t’i përkrahë institucionet.
U tha, ndonëse jo zyrtarisht se Lista Serbe ka kërkuar të kenë Zëvendës Presidentin, ndonëse kjo pozitë deri më tani nuk ka ekzistuar si pozitë zyrtare .
Por, zyrtarë të PAN-it ende nuk kanë dhënë ndonjë informatë nëse do ua bëjnë realitet “ëndrrën” e serbëve.
Njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi e sheh normale kërkesën e serbëve.
Sipas tij, ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur së fundi mes subjekteve politike dhe ndarja e posteve, po e rrit ambicien e secilit subjekt politik që do të jetë pjesë e qeverisë,për të pasur edhe më shumë.
“Ndryshimet e mëdha që janë bërë me Pacollin dhe AKR-në tash e rrisin ambicien e secilit subjekt që do të jetë në koalicionin qeverisës që të kërkojë maksimumin. Kjo është dashtë të pritet nga të gjithë. Kjo është një lloj maksivalizimi i subjektit serb që po kërkon të pozicionohet sa më fort para se të kryhet puna që për ta është kryesore, asociacioni i komunave serbe”, tha Maliqi.
Kërkesat e shumta të subjekteve politike, sipas Maliqit do ia vështirësojnë punën Ramush Haradinajt, si mandatar për kryeministër.
Ai vlerëson se koncesionet e mëdha që po duhet të bëjë PAN-i, po e dobësojnë imazhin e qeverisë së ardhshme.
“Tash kjo është faza tjetër që do ta ketë vështirë ta zgjidhë Haradinaj si mandatar dhe ky formacion i cili pretendon se numrat për me e bo qeverinë. I kanë numrat por thjeshtë po duhet me bo koncesione tepër të mëdha, të cilat edhe më tepër e dobësojnë imazhin e një qeverie të ardhshme”, shtoi tutje Maliqi.
Maliqi thekson se ndarja e pozitave do duhej të diskutohej qysh në fillim e jo të lihej për fund.