Publicisti Shkëlzen Maliqi ka thënë se sulmi në Banjskë është paralajmëruar rreth tre muaj më herët në parlamentin anglez.
“Nuk e di se çka qëndron pas saj, por mendoj se është një sinjal”-ka thënë ai për Blic interview.
Hetime nuk ka ende, besoj për shkak të zgjedhjeve në Serbi për të mos e penguar procesin. Edhe amerikanët po insistojnë se duhet të dalë një raport, besoj se ai raport do të jetë si presion për Vuçiqin dhe marrëveshja e Ohrit dhe implementimi i saj, ku janë pajtuar të dy negociatorët, edhe Vuçiq edhe Kurti, se kjo nismë duhet tashmë me u realizu, se nuk po ka nevojë as me shku në Kuvendin e Serbisë për me legjitimu atë marrëveshjen, por thjesht meqë nuk është marrëveshje përfundimtare nuk kërkohet njohja de juro e Serbisë”, ka thënë ai.
Publicisti tutje ka thënë se mbetet të shihet se a do të jetë asociacioni me kompetenca ekzekutive apo jo.
“Edhe Kosova do të duhej të ndryshonte kushtetutën nëse kjo temë që tek ne është më aktuale, Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe, çfarë statuti do të ketë, a do të ketë elemente autonomie, apo do të jetë vetëm asociacion pa kompetenca ekzekutive. Kjo duhet të shihet, por nëse është si autonomi atëherë duhet edhe kushtetuta me u adaptu. Mirëpo, ideja e këtyre diplomatëve po i bëjnë këto negociatat, kryesisht ambasadori Hill që është në Beograd por edhe këta të tjerët, po mendojnë se duhet me e tejkalu këtë pikë, që jo vetëm tash këto vitet e fundit por edhe 2015, 2016 e ka bllokuar dialogun, sepse pa një zgjidhje të statusit, pa zyrtarizim të shtetësisë së Kosovës dhe jo formalisht nuk po arrihet të implementohen marrëveshjet”, ka thënë ai.