Malisheva e Gjilanit në hall nga hajnat, banorët po ruajnë shtëpitë pas vjedhjeve të shtuara në fshat

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Tash e një muaj, fshati Malishevë në Gjilan është në hall nga hajnat. Këtyre ditëve në këtë fshat kanë ndodhur vjedhje të shumta. Caku i hajnave, sipas kryetarit të fshatit, Latif Maliqi, më së shumti janë shtëpitë.

Ai në emisionin “Frontal” në T7, ka thënë se hajnat fillimisht hynin dhe grabitnin në shtëpitë e mërgimtarëve, por se tani janë duke hyrë edhe në shtëpi të banorëve.

“Fshati jonë ka një muaj që po përballet me gjëra të papëlqyeshme. Kanë filluar disa huliganë me i dëmtu dhe shtëpitë. Kanë filluar me shtëpitë e mërgimtarëve që kanë qenë të zbrazura. Javën e kaluar e patëm një seri tjetër të vjedhje e që nuk shikonin më se a janë shtëpi të mërgimtarëve apo të banorëve aty”, deklaroi ai.

Ai tha se banorët e fshatit më nuk po guxojnë që t’i lënë vetëm shtëpitë e tyre.

“Për momentin nuk jemi duke e ditur se çfarë po ndodh dhe kush po I kryen këto vjedhje. Po fillojnë nga ora 21:00-23:00. Tek ne banorët kanë shkaktuar panik dhe traumë që asnjë shtëpi nuk po guxojmë me e lënë vet”, ka thënë ai.

Maliqi më tutje tregoi se para e ari deri më tani janë vjedhur në 13 shtëpi.

“Zakonisht janë duke kërkuar mjete financiare dhe ari. Tjetër gjë nuk po marrin në shtëpi. Për shtëpitë e vjedhura, të thyera deri më tani janë 13. Të tentuara për grabitje janë diku 30 shtëpi. Jemi fshat me 900 shtëpi”, deklaroi ai.

Ndër të tjera banori i fshatit Malishevë në Gjilan, tregoi se tani janë detyruar që të bëjnë edhe roje pranë shtëpive të tyre.

“Që tri ditë kanë filluar njerëzit që të grumbullohen dhe të bëjnë pak roje dhe të angazhohen më shumë në mënyrë vetanake për të siguruar familjarët dhe pasurinë e tyre. Më së shumti po ruajnë secili para dyerve të shtëpisë. Po mundohemi me u organizu”, deklaroi ai.

Të ngjashme