Politologu Albinot Maloku ka thënë për Ekonomia Online se deklarata e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, ku thotë se Qeveria Kurti po ndikon në marrëdhënien e Kosovës dhe ShBA-së, është thirrje që ajo ta ndalë populizmin për çështjen e hapjes së Urës mbi lumin Ibër.
Maloku ka thënë se hapja e urës do të mund të bëhej në mënyra më kreative e në bashkëpunim me ndërkombëtarët sepse si pasojë e “paurtësisë” të Qeverisë, po krijohen rrethana që nuk i nevojiten Kosovës.
Ai ka thënë se deklarata e sotme e ambasadorit amerikan është një rikujtim i pozicionit që ShBA-ja ka ndaj kësaj qeverie.
“Faktikisht është rikujtim i një pozicioni që ShBA po e përsërisin disa herë në raport me Qeverinë e vendit, në raport me veprimet që Qeveria e vendit po i merr. Si pasojë e paurtësisë dhe mënyrës politike krijon rrethana të cilat nuk i nevojiten aspak Kosovës e sidomos dëmtimi i raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së”, ka thënë Maloku.
Maloku ka theksuar se për çdo veprim që mund ta marrë ShBA ndaj Qeverisë së Kosovës, do ta pësojnë edhe qytetarët.
“Ky distancim mes Qeverisë dhe popullit që e bëri ambasadori është vazhdimësi e politikës amerikane, mirëpo duhet ta kuptojmë që çdo veprim ndaj Qeverisë të Kosovës për rrjedhojë është ndaj qytetarëve të Kosovës, edhe këtu ka një farë lloj taktizimi diplomatik, të shpjegimit të një gjendje që për pasojë edhe qytetari i Kosovës e pëson dhe kjo është e panevojshme për Kosovën. E shohë në vazhdën e rikujtimit të asaj çfarë është thënë disa here viteve të fundit që kanë pasur ShBA-ja ndaj Kosovës”, ka thënë ai.
Maloku ka shtuar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk duhet të bëjë populizëm me paralajmërimet për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, pasi këtë çështje ka edhe marrëveshje.
“Mos të bëhet populizëm me diçka që mund të zgjidhet në mënyra me kreative dhe që ka parakushte për tu zgjedhur për faktin që ka një marrëveshje. SHBA nuk është mos insistuese në jetësimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës edhe Serbisë. Insistimin në jetësimin e marrëveshje pa dhënë konotacion populist që për pasojë nuk është që po ka efekt dhe konkretizim hapash, është bërë një muaj ose më shumë që diskutohet në opinionin publik kjo çështje e nxitur nga qeveri e vendit dhe nuk ka një konkretizim hapash sa i përket këtij synimi të qeverisë për hapjen për transport të automjeteve në Urën mbi lumin Ibër. Edhe këtu shohë vetëm më shumë populizëm, unë dua ta shohë në perspektivën që ShBA nuk është e interesuar që të këtë vetëm folklorizëm e populizëm në diçka që ka marrëveshje të cilat duhet të jetësohen”, ka thënë ai.