Maloku: UÇK-ja ishte ushtri me baza vullnetare, kishte respekt për Shtabin e Përgjithshëm

Prishtinë | 24 Mar 2025 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku, ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Maloku, ish-deputet dhe ish-këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj u intervistua nga Specialja në vitin 2019.

Prokurori James Pace tha se gjatë luftës Maloku ishte anëtar i drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe epror ushtarak në Dukagjin.

“Dëshmitari 04403 është shqiptar i Kosovës, i cili ka pasur role të ndryshme në UÇK, në vendndodhje të ndryshme, përfshirë edhe Dukagjinin. Ky dëshmitar ka qenë anëtar i drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Do të japë dëshmi lidhur me rolet që ka pasur ai dhe përgjegjësitë që ka pasur në UÇK, takimet ku ka marrë pjesë më 1998 dhe ’99, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur ai me anëtarë të tjerë të UÇK-së”, ka thënë prokurori Pace.

Maloku u përgjigj pyetjeve të prokurorit lidhur me një libër të botuar në vitin 2000, për çka tha se UÇK-ja ishte ushtri me baza vullnetare, ku nuk ekzistonte nocioni i dezertimit.

Lidhur me librin “Dëshmi në rrugën e Lirisë” me autor Agim Zogaj, ai tha se ka mundur ta paraqesë si më hierarkike sesa ishte strukturën e UÇK-së.

“Ndoshta e kam paraqitur strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikt. Unë dua t’iu sqaroj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Pra prej ushtarit të parë e deri në të fundit ka qenë vullnetare – krejt pjesëtarët. Nuk ka qenë e mobilizuar në bazë të ligjeve të qeverisë, të Ministrisë së Mbrojtjes etj, por është vetëorganizuar në baza vullnetare”, tha Maloku.

Ai u shpreh po ashtu se në Ushtrinë Çlirimtare kur dikush largohej nga luftimet nuk llogaritej si dezertim, siç do të llogaritej në ushtri të rregullta.

“Zotëri prokuror, është rregull edhe në ushtritë e tjera: çdo ushtri ose njësi vullnetare ka disa përgjegjësi ose obligime që dallojnë nga ushtritë dhe njësitë të cilat mobilizohen në bazë të ligjeve dhe urdhrave. Për shembull në qoftë se një ushtar që vjen vullnetar, paraqitet në brigadë, dhe vjen vullnetar. Pas një muaji për shkaqe të ndryshme ai e lëshon njësinë, nuk quhet dezertim. Sepse ai vullnetarisht ka ardhur dhe vullnetarisht shkon… Mundet njësia apo ushtari vullnetar të mos e zbatojë ndonjë urdhër edhe ai nuk përgjigjet para organeve që ajo ushtri vullnetare i krijon për të krijuar dhe ndërtuar disiplinë brenda strukturës së asaj ushtrie”, tha Maloku.

Ai tha po ashtu se në përgjithësi pajtohet me atë që e ka thënë në libër, mirëpo theksoi të gjithë pjesëtarët, nga i pari e tek i fundit ishin vullnetarë. Maloku u shpreh se për këtë shkak, UÇK-ja dallonte me ushtritë e rregullta, ndonëse ekzistonte respekti për Shtabin e Përgjithshëm.

“Ky ka qenë një ekzagjerim i vogël, jo i madh. Por, ne jemi respektuar, njësitet tona e kanë respektuar Shtabin e Përgjithshëm. Është respektuar struktura, komandanti i brigadës e i Zonës, por në instalimin e zinxhirit komandues duhet pasur parasysh që te njësitë vullnetare nuk shkon njëjtë apo te njësitë apo ushtarët të cilët mobilizohen me urdhra dhe në bazë të ligjeve dhe në qoftë se i thyejnë ato ligje, përgjigjen para organeve të drejtësisë të atij shteti”, tha Maloku.

Të ngjashme