Mediat italiane sugjeruan se Pep Guardiola do të zyrtarizohet si trajner i Juventusit muajin tjetër, mirëpo Manchester City e ka përqeshur këtë spekulim.
Juventusi është në kërkim të një trajneri të ri pasi para gjashtë ditësh bëri të ditur se trajneri aktual, Massimiliano Allegri, nuk do ta drejtojë klubin sezonin e ardhshëm.
Sot, agjencia më e madhe e lajmeve në Itali, Agenzia Giornalistiva Italia, raporton se me kontratën katërvjeçare me Juventusin, Guardiola do t’i fitojë 24 milionë euro në sezon, në krahasim 17 milionë eurot në vit që i merr në Manchester City.
Kjo agjenci shton se marrëveshja do të nënshkruhet më 4 qershor, para se të zyrtarizohet dhjetë ditë më vonë. Pikërisht për 14 qershor, Juventusi i ka anuluar të gjithë rezervimet për turne në stadiumin Allianz.
Për Guardiolën u tha se ishte takuar të martën në Milano me drejtorin sportiv të Juventusit, Fabio Paraticin.
Mirëpo, Sun Sport raporton se drejtuesit e Manchester Cityt i cilësojnë këto pretendime “qesharake” dhe nuk mendojnë se kanë nevojë as të dalin me deklaratë zyrtare, pasi që këto lajme nuk i vlerësojnë aspak serioze.
Këto spekulime i kishte mohuar edhe Guardiola javën e kaluar.
“Sa herë duhet ta them këtë gjë? Nuk do të shkoj në Juventus. Nuk do të shkojë askund në Itali. Jam i lumtur këtu dhe nuk do të shkoj askund. Sezonin tjetër do të jem trajner i Manchester Cityt, e kam thënë këtë gjë disa herë”, kishte thënë Guardiola në një konferencë për shtyp.