Aspekti më domethënës i humbjes 3:0 të Manchester Unitedit të hënën mbrëma në shtëpi nga Tottenhami është se sa rutinore dhe e zakonshme u duk humbja.
Manchester United sigurisht se ka pësuar humbje të thella në “Old Trafford” në të kaluarën, por zakonisht kundërshtari është dashur të tregojë një paraqitje vërtet të jashtëzakonshme për të siguruar një rezultat të tillë. Por jo në këtë kohë.
Tottenhami i Mauricio Pochettinos luajti mirë, por jo jashtëzakonisht mirë. Lojtarët e Tottenhamit pritën për momentet e tyre dhe shkatërruan kundërshtarin. Ishte një nga ato performancat që top-skuadrat e Premier Leagues tregojnë në mënyrë rutinore ndaj kundërshtarëve modestë.
Ndoshta kjo më nuk duhet të jetë befasi.
Në pesë vjetët që kur u pensionua nga detyra e trajnerit Sir Alex Ferguson, Manchester Unitedi gradualisht, së paku në fushë, është bërë thjesht si një klub tjetër i zakonshëm.
Si ka ndodhur kjo? Si ka mundur që një klub i kalibrit të Barcelonës, Real Madridit, Juventusit e Bayern Muenchenit, të mos jetë në gjendje të mbajë vazhdimësinë si një institucion gjatë ndryshimeve të paevitueshme të trajnerëve?
Trashëgimia e Fergusonit kur është larguar nga Man. Utd pas 27 vjetëve, ishte e madhe, plot 13 tituj të Premier League e dy Liga të Kampionëve, ndër të tjera.