Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të mërkurën kanë konfirmuar se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Vendimi i Agjencisë Kadastrale vjen pasi kryeministri Albin Kurti më 13 mars urdhëroi që 24 hektarët t’i regjistrohen Manastirit të Deçanit.
“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit t Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftimin e Dioqezës Rashkë-Prizren të mërkurën.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se vendimi për t’i dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit është “i dëmshëm”, por “i domosdoshëm” për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Por disa ditë pas, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, pati thënë se Kosova ka edhe dy kushte për anëtarësim në KiE, formimin e Ascociacionit dhe shpronësimin e tokave në veri.
Autoritetet komunale të Deçanit kishin kundërshtuar vendimin.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i kishte kërkuar Kosovës që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me 24 hektarët tokë të Manastirit të Deçanit.