Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve në Kamëz, nga ku ministrja theksoi se javën e ardhshme do të nisë vaksinimi masiv.
“Këtu në Kamëz kemi rreth 1000 mësues, të cilët janë duke u vaksinuar. Sot kalojmë besoj mbi 16 mijë mësues të vaksinuar. Ndërkohë që janë mbi 52 mijë vaksinime të kryera në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se me finalizimin e marrëveshjes për vaksinat që po blihen nga distributori i autorizuar, pritet të nisë vaksinimi masiv.
“Sot finalizojmë edhe aktin normativ për vaksinat, të cilat jemi duke blerë nëpërmjet distributorit të autorizuar dhe besoj që javën që vjen fillojmë vaksinimin masiv”, deklaroi Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama bëri me dije objektivin kryesor në këtë situatë që është nisja e vaksinimit masiv për të moshuarit.
“E kam në majë të gjuhës, por do ta mbaj edhe pak fare, për gjyshërit dhe gjyshet, të cilat janë pika e dobët e çdo familje nga pikëpamja e dashurisë dhe përkujdesit, por edhe nga pikëpamja e shëndetit janë pika e dobët. Fillimi i vaksinimit masiv për gjyshërit dhe gjyshet është fiksimi, ambicia dhe gjithë qëllimi i vajtjes sime në punë gjatë gjithë kësaj periudhe, me ndihmën e Zotit, të miqve dhe këmbënguljen tonë, besoj që lajmi i mirë do të dalë nga goja më në fund, edhe pak fare”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 52 050 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Janë kryer 28 659 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 8889 vaksinime për të të moshuar dhe 14 502 vaksinime për arsimtarët./ A2 CNN