Mandl: S’duhet ta nënvlerësojmë rolin pozitiv të ShBA-së në dialog, çështja e liberalizimit është vonuar

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 10:03 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë ka mbajtur sesionin e dytë të punës, raporton Ekonomia Online.

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl tha se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është dialog mes dy shtetesh e jo ndërmjet dy qytetesh.

Sipas tij, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian e ndërmjetëson dialogun, ndërsa shtoi se mund të jenë konstruktiv por edhe kritik si po vazhdon dialogu. Madje ai thotë se nuk duhet të nënvlerësohet roli pozitiv i ShBA-së në dialogun Kosov-Serbi.

Ai tha se çështja e liberalizimit është vonuar tej mase.

“Agjenda thotë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. E njoh këtë gjuhë shumë mirë, por besoj se ky nuk është dialog mes dy qyteteve. Duhet ta bëjmë të qartë në fillim se është e është dialog mes dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë rolin pozitiv të ShBA-së në dialogun, në mbështetjen e vërtetë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.

Deputeti i VV-së, Armend Muja, foli për ndikimin e luftës në Ukrainë në vendet e rajonit. Por sipas tij, Kosova ka dëshmuar se është pozicionuar krahë aleatëve.

Por sipas tij, pozicionimi i ushtrisë serbe pranë kufijve të Kosovës përbën shembull të qasjes arkaike dhe paraqet dilemë për sigurinë në rajon.

“Lufta në Ukrainë na ka demonstruar që liria e BE-së sfidohet vazhdimisht. Kosova në këtë situatë është rreshtuar me BE dhe ShBA. Nënshkrimi i marrëveshjeve në politikën e jashtme ka qenë një hap drejt konfirmimit që ata mbeten ende të papërcaktuar”. 

“Kosova është e përkushtuar të përshpejtojë procesin e reformave. Kosova mbetet kontribuues në procesin e Berlinit. Ne mirëpresim nënshkrimin e tri marrëveshjeve”.

“Njohja nga Serbia dhe ulësja në OKB paraqesin zgjedhje të përkushtimit tonë ndaj BE-së. Pala serbe ka minuar përpjekjet për sukses e nënshkruar marrëveshjen për energjinë, marrëveshja për vula doganore. Pozicionimi i ushtrisë pranë kufijve të Kosovës përbën shembull të qasjes arkaike dhe paraqet dilemë për sigurinë e Kosovës”.

Deputetja e LDK-së Rrezarta Krasniqi, tha se në mars të vitit 2023 bëhen 12 vjet që ka filluar procesi i dialogut.

Sipas saj, me gjithë marrëveshjet dialogu ka prodhuar paqartësi, duke shtuar se qytetarët nuk e dinë cili është raporti për dialogun.

“Diskutimet janë për tema teknike. dialogu ka arritje fazë të rëndësishme por është mungesa e transparencës në raport me dialogun nga Qeveria. Janë shkelur edhe një sërë rezolutash që e obligojnë qeverinë të raportojë më Kuvend”.

“Qytetarët nuk e dinë cili është raporti për dialogun. Ne si LDK kemi dhënë qëndrimin në përkrahje të dialogut. Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohje reciproke. Kosova ka filluar të prish marrëdhëniet me aleatët tanë. Kosova ka nevojë për mbështetje nga administrata Biden dhe BE-ja”.

Besnik Tahiri deputet i AAK-së, tha se fokusi i BE-së duhet të jetë në arritjen e marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, raporton EO.

“Është e vlefshme që në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së të japim disa porosi: Përkushtimi i Kosovës ndaj agjendës së integrimit evropian, tash e shumë vite, është i palëkundur, i vërtetë dhe është rruga jonë njëdrejtimëshe dhe adresa e vetme, të cilën e synojmë si vend, si shtet dhe shoqëri”.

“22 vjet nga përfundimi i luftës dhe 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, vendin ynë është kthyer në një tregim të suksesshëm të konsolidimit të institucioneve në Ballkanin Perëndimor. Rrjedhimisht, për një kohë të gjatë, ne kemi qenë pjesë e dialogut, por shumë herë ky dialog në esencë ka qenë politik, është kamufluar me tema teknike dhe nuk ka krijuar efekte dhe benifite për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Jemi vendi i vetëm që nuk kemi liberalizim vizash. Fokusi i Bashkimit Evropian, i Parlamentit Evropian duhet të jetë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, njëherë e përgjithmonë ky konflikt dhe ky dialog të përfundojë”.

“Dialogu i cili prodhon fotografi të bukura, i cili prodhon nënshkrime pavlerë, pa efekte në terren nuk i kontribuon dhe në esencë nuk është në funksion të qëllimit të dialogut. Qëllimi i dialogut është që ta përfundojmë një konflikt të hapur, të stopojmë një agresion të shtetit fqinj, që është aleati kryesor i Rusisë, dhe tash e sa kohë e pengon Kosova në këtë drejtim. Pra, të fokusohemi si Union Evropian me ndihmën e ShBA-së ta përmbyllim këtë çështje. Përndryshe, jemi duke humbur kohë dhe këtë temë të dialogut do ta kemi në çdo takim të përbashkët”.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme