Ylli i Liverpoolit, Sadio Mane, ka pranuar se do të donte t’i kërkonte falje portierit të Manchester Cityt, Ederson pas lëndimeve që i shkaktoi në ndeshjen e mëhershme gjatë muajit.
Mane ishte ndëshkuar me të kuq dhe është dënuar me tri ndeshje moslojë për shkak se kishte goditur me këmbë në fytyrë portierin Ederson në humbjen 5 me 0 nga City.
Senegalezi ka thënë se do të dëshironte të shmangte një përplasje të tillë dhe se do të donte të kontaktonte personalisht Edersonin.
“Kurrë nuk do ta bëja me qëllim, por është pjesë e futbollit. Nuk mund të bëja diçka tjetër, mendoja se ishte vetëm për karton të verdhë. Nuk njihemi, por do të doja të kisha numrin e tij dhe t’i kërkoja falje në mënyrë të duhur. Nuk isha mirë pas incidentit. Po mendoja për kartonin e kuq dhe sigurisht ne jemi qenie njerëzore dhe duhet të jemi të mirë me njëri-tjetrin”, ka thënë ai për ESPN.