Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues në të cilën është diskutuar në lidhje me mbarëvajtjen e grevës së përgjithshme dhe veprimet sindikale pas saj.
Pas raportimit nga ana e Këshillit Qendror Grevist të FSSHK-së u konstatua se greva e përgjithshme e mbajtur më 13 dhjetor në të gjitha institucionet shëndetësore të nivelit parësor, dytësor dhe tretësor ka kaluar me sukses dhe pa asnjë ekses të cilin vlen ta përmendim, përveç në disa raste të cilat janë bërë publike gjatë ditës së grevës.
Anëtarët e këtij këshilli diskutuan edhe për hapat e mëtutjeshëm të cilat pasojnë pas grevës, ku njëzëri vendosën që të pezullojnë grevën deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Pagave.
Gjithashtu anëtarët e këshillit drejtues morën vendim që të ndërmarrin të gjitha hapat ligjor në pajtim me legjislacionin pozitiv të vendit si dhe duke i konsultuar edhe instancat vendore dhe ndërkombëtare me qëllim të përshpejtimit të vendimit brenda afatit ligjor kushtetues të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Pagave.
“Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë punëtorëve shëndetësorë pa dallim, unitet të plotë, t’ju shmangen manipulimeve politike gjatë këtij procesi duke e ritheksuar se ne mbrojmë parimin institucional të vendimeve dhe se FSSHK në asnjë rrethanë nuk interferon në Gjykatën Kushtetuese të vendit apo të vendimeve të saj, por fuqishëm besojmë se duke i parë rrethanat e krijuara do të marrë vendim në favor të punësuarve të pakënaqur respektivisht punëtorëve shëndetësorë”, thuhet në një njoftim për media të kësaj federate