“Për herë të parë kemi një fragmentim në marrëdhëniet e shteteve që përfaqësojnë vlerat demokratike”, me këtë theks, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ngriti shqetësimin për sigurinë globale në panelin “Perspektiva mbi Sigurinë Globale: Çfarë vjen më pas?”, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për konfliktet në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe tensionet në Azi, Maqedonci tha se këto tri konflikte paraqesin kërcënime, por kërcënimi i vërtetë që ai sheh është brenda vetë fragmentimit që është shumë i qartë brenda atyre që përfaqësojnë vlerat.
Ai kritikoi largimin e shteteve nga parimet demokratike.
“Po, pajtohem që lufta në Ukrainë, qasja e Kinës ndaj Tajvanit dhe tensionet e lufta në Lindjen e Mesme paraqesin kërcënime reale për sigurinë, madje mund të themi për sigurinë globale. Por unë shoh më shumë probleme te fragmentimi i, le të themi, blloqeve që përfaqësojnë vlera. Kjo është bërë më e dukshme se kurrë më parë. Këto tri konflikte paraqesin kërcënime, por kërcënimi i vërtetë që unë shoh është brenda vetë fragmentimit që është shumë i qartë brenda atyre që përfaqësojnë vlerat. Për herë të parë kemi një fragmentim në marrëdhëniet e shteteve që përfaqësojnë vlerat demokratike dhe kemi gjithashtu fragmentime edhe në anën tjetër. Nuk kemi ndonjë bllok autoritar të unifikuar, por jemi duke u përballur me një situatë që prek njerëzit në gjithë botën. Po shohim një fragmentim që nuk e kemi parë të paktën në njëqind vitet e fundit.
Ende mund të bëjmë shumë nëse i ndërtojmë miqësitë dhe partneritetet mbi vlera, jo vetëm mbi interesa. Nuk mund të ndash interesat nga vlerat”, tha ai.
Në të njëjtin panel, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Blerina Abrazhda, dha një mesazh të drejtpërdrejtë për nevojën urgjente që vendet të investojnë në kapacitete të mbrojtjes.
“Për pesëmbëdhjetë vjet kam shitur parandalim për vende të ndryshme… Në kohë paqeje, interesi i vendeve për të investuar në mbrojtje bie shumë, ndërsa në kohë si kjo, interesi rritet jashtëzakonisht,” tha Abrazhda, duke theksuar se mbrojtja kërkon kohë për t’u zhvilluar dhe nuk mund të improvizohet në kohë krize.
“Është e zakonshme: nëse blen diçka për sigurinë e vendit tënd, zakonisht duhet të presësh të paktën tre vjet për ta marrë,” shtoi ajo.
Abrazhda theksoi gjithashtu se koncepti tradicional i sigurisë ka ndryshuar.
“Sot lufta nuk ka të bëjë më me gatishmërinë ushtarake pa komandë dhe kontroll, që është një kod i shkruar, nuk mund të luftosh luftën”, tha ajo.
Në një koment për barazinë gjinore në mbrojtje, Abrazhda denoncoi diskriminimin ndaj grave në këtë sektor.
“Diskriminimi i grave në mbrojtje është kudo: nuk është vetëm në ushtri, nuk është vetëm në marrjen e vendimeve. Historia ime personale është se unë isha ekzekutivja e parë femër në fushën e mbrojtjes për një nga kompanitë më të mëdha në botë, në Lindjen e Mesme”, tha ajo.

