Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për vendimin e Qeverisë që lidhet me Ushtrinë e Kosovës, pikërisht kur sot shënohet Dita e Forcës në vendin tonë, raporton Ekonomia Online.
Ai bëri të ditur se do të themelohet një komision ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës.
“Ky komision do të negociojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për përpunimin e municionit. Ne jemi koordinuar me partnerët tanë dhe kemi pranuar një raport të fizibilitetit për hapjen e një fabrike shtetërore. Nuk do ta pengojë sektorin privat, inkurajohen të gjitha kompanitë private që të punojnë në këtë drejtim”.
“Fluturaket pa pilot është duke u aplikuar në luftërat në Ukrainë dhe Lindje të Mesme dhe me këtë rast vendi ynë do të dizajnoj këto fluturake. Kemi shumë bashkëpunime me partnerët tanë dhe në ditët e ardhshme do të bëhet publike më shumë detaje”, tha ai.