Maqedonci nënshkruan marrëveshje mjekësore me Turqinë

Prishtinë | 23 Tet 2024 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka nënshkruar të mërkurën marrëveshjen për bashkëpunim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler, për bashkëpunim në fushën mjekësore.

Vendimi fillimisht u miratua në mbledhjen e të mërkurës nga Qeveria e Kosovës, e më pas u bë i ditur edhe nga ministri Maqedonci.

“Me këtë rast ndërmjet dy ministrive tona u nënshkrua edhe protokolli i rishikuar i bashkëpunimit në fushën e trajtimit mjekësor, përmes të cilit mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke”.

“Me këtë marrëveshje kuota e trajtimeve mjekësore falas në dispozicion të ushtarakëve tanë rritet nga 50 në 75 në vit apo për 50% më shumë”, ka sqaruar ai.

Ai ka treguar edhe se çfarë parashihet që të plotësohet me këtë marrëveshje.

“Marrëveshja mundëson realizimin e ushtrimeve të përbashkëta në fushën e mjekësisë ushtarake, trajnime mjekësore para zbarkimeve ushtarake, shkëmbimin e personelit mjekësor, veprimtaritë shkencore dhe shkëmbim i informacionit mjekësor, edukim profesional për pjesëtarët e FSK-së në Akademinë Mjekësore Ushtarake të Turqisë në mjekësi të përgjithshme, stomatologji, infermireri dhe farmaci”.

Mbi 300 ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri tani sipas të dhënave të dikasterit të mbrojtjes janë trajtuar pa pagesë në institucionet e specializuara shëndetësore ushtarake turke.

Më 29 janar, Kosova dhe Turqia kishin nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë, me qëllim të bashkëpunimit për shërbimin e personelit ushtarak.

Kjo marrëveshje përfshinte shkëmbimin e personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimet në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi.

Të ngjashme