Në kushte të pandemisë së shkaktuar nga paraqitja dhe përhapja e koronavirusit (COVID-19) sot zyrtarisht filloi viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut.
Në shumicën e shkollave, nxënësit deri në klasën e tretë ndjekin mësimin me prani fizike ndërsa në klasat më të larta do të mësojnë online, gjegjësisht në distancë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, e shoqëruar nga kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev sot me rastin e ditës së parë shkollore të këtij viti shkollor vizituan shkollën fillore “Jan Amos Komenski” në Shkup.
Në fjalimin e tij drejtuar nxënësve të klasave të para, kryeministri Zaev tha se ky vit shkollor për shkak të epidemisë së COVID-19 nuk është si ato të mëparshmet dhe se të gjithë duhet të jenë solidarë dhe të respektohen masat.
“Nëse të gjithë u përmbahemi masave, do ta kalojmë këtë vit shkollor më lehtë dhe në atë mënyrë do të sigurohemi që të jetë i vetmi dhe viti i fundit kështu. Ju fëmijë jeni të gjithë shumë të zgjuar dhe kurioz. Kjo është shumë e mirë. Dhe gjithnjë bëhuni kurioz. Unë jam i bindur se pikërisht për shkak të kuriozitetit tuaj, të gjithë tashmë e dini pse do të duhet të vendosni maska, të rrini pak më larg njëri-tjetrit dhe t’i lani duart rregullisht dhe më shpesh”, tha Zaev, raporton Anadolu Agency.
Ministrja e Arsimit, Milla Carovska uroi nxënësit për një fillim të mbarë duke thënë se ky vit do të jetë interesant dhe pak më ndryshe nga sa pritej.
“Ndonjëherë mund të jetë më e vështirë, por jam e sigurtë se do të jetë shumë interesante për të gjithë ju. Të gjithë keni maska shumëngjyrëshe. Dhe ato janë interesante. Ju duhet të flisni për maskat tuaja, duhet të flisni me mësuesit dhe me mësueset tuaja sepse ne lajmë duart më shpesh”, tha ministrja Carovska.
Duke theksuar se ajo do të jetë një partner për të bërë gjithçka më të lehtë për fëmijët këtë vit shkollor, Carovska tha se “Do ta kapërcejmë këtë sfidë dhe do të tregojmë se edhe në këtë situatë ne dimë të organizojmë një vit të suksesshëm”.
Kujtojmë se në përputhje me Planin dhe protokollet e organizimit, të përgatitura nga institucionet e sistemit në bashkëpunim të ndërsjellë, mësimi do të zhvillohet si me prani fizike, ashtu edhe nga distanca.
Ministrja Carovska dje informoi se rreth 600 shkolla fillore dhe të mesme lejohen të organizojnë mësim me prani fizike, nga gjithsej 864 kërkesa të marra nga themeluesit.
Ky vit shkollor filloi një muaj më vonë për shkak të pandemisë së COVID-19.