Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka njoftuar për arritjen e një kornize për marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit.
Ai i ka bërë këto deklarata për agjencinë MIA, pas takimit në Bruksel me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias.
“Kishim takim produktiv, kemi kornizë që duhet të përpunohet dhe momentalisht grupet e juristëve të të dy ministrive po punojnë për përmbajtjen e saj. Planifikohet një takim i rëndësishëm në nivel të kryeministrave, Zaev dhe Cipras nga mesi i javës. Besojmë se do të përcaktojnë disa punë të rëndësishme nga opsionet që janë në lojë”, deklaroi Dimitrov pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e kornizës.
Dimitrov, të hënën kishte një takim joformal me ministrat e punëve të Jashtme të BE-së apo zëvendësit e tyre.
Siç bëhet e ditur, Franca dhe Holanda kanë mbajtur qëndrimin e fortë për mosdhënien e datës për nisjen e bisedimeve, ashtu edhe siç pritej. Por, Dimitrov ka thënë se “janë të mundshme çudira”.
“Është e bukur të dimë se kjo nuk është punë e thjeshtë. Konsolidimi i brendshëm i BE-së është komplementar dhe jo në kundërshtim të konsolidimit të Ballkanit…Nuk jemi në situatë që të kemi luks dhe të lëshojmë shansin historik”, ka deklaruar Dimitrov.
Edhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian kanë njoftuar për progres në bisedimet për zgjidhjen e kontestit.
“Të gjithë jemi shumë të inkurajuar nga përparimi mes Shkupit dhe Athinës për emrin. Të gjithë do të punojmë që të mbështesim një epilog pozitiv”, ka deklaruar shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Bisedimet në Bruksel, vijojnë ato në Nju Jork ku dy palët nuk arritën përparim, pasi Greqia hodhi poshtë propozimin, “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.