Maqedonia e Veriut pritet të jetë pa lojtarin kryesor ndaj Kosovës

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Maqedonia e Veriut pritet të jetë pa lojtarin kryesor në ndeshjen ndaj Kosovës. Ende nuk ka termin për ndeshjen në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, që i takon gjysmëfinales së plejofit për “Euro 2020”.

Me shumë mundësi ndeshja do të luhet në tetor, ndërsa gjasat janë të mëdha që deri atëherë Goran Pandev t’i jap fund karrierës. Pandev vlerësohet ikonë e Maqedonisë së Veriut. Aktualisht është kapiten i Maqedonisë së Veriut ndërsa ka edhe numrin më të madh të ndeshjeve e po ashtu numrin më të madh të golave për këtë përfaqësuese. Ai luan për Maqedoninë V. prej vitit 2001, ndërsa në 108 ndeshje ka realizuar 34 gola.

Pandev 36-vjeçar ka paralajmëruar pensionimin pas përfundimit të edicionit aktual, raporton Koha.net. Ai është pjesë e Genoas në Serie A, që do të luftojë për mbetje në elitë nëse vazhdon edicioni.

“Unë ende e kam ndërmend të shptëojë Genoan dhe më pas të ndalem. Tani shpresoj që kjo situatë do të përfundoj dhe më pas do të shohim. Unë do të doja të përshëndes njerëzit e Genoas në një stadium të mbushur. Kam dhënë çdo gjë për këtë fanellë”, ka thënë Pandev për Corriere dello Sport.

“Ne vërtetë duam të kthehemi në fushë pasi futbolli është jeta jonë. Mezi presim që t’i shohim të gjithë sërish. Para së gjithash shpresojmë që jeta të kthehet në normalitet. Ende nuk është koha të mendojmë për futbollin”, ka shtuar Pandev.

Më herët Pandev kishte thënë se mund të shtyjë pensionimin për një vit që të realizoj ëndrrën për të luajtur me Maqedoninë e Veriut në një turne të madh. Maqedonia e Veriut ende nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe, por Kosova synon ta lë jashtë Evropianit të shtyrë për vitin tjetër.

Fituesi i ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luajë në finale të plejofit me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë, për biletën e Evropianit.

Të ngjashme