Maqedonia e Veriut shënon 30 vjetorin e pavarësisë

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Maqedonia e Veriut sot shënon 30 vjetorin e pavarësisë.

Me rastin e festimit të kësaj dite, sot në qendër të kryeqytetit do të parakalojnë punonjësit shëndetësorë, sportistët, zjarrfikësit, policia dhe ushtarët, minatorët, fermerët, vullnetarët e Kryqit të Kuq, si dhe ansamble kombëtare dhe shoqatat kulturore dhe artistike, transmeton Portalb.mk.

Festa qendrore do të jetë e hapur para Kuvendit duke filluar nga ora 17:30 dhe do të fillojë me shfaqjen e veprës “Simfonia për filarmoninë” të kompozitorit Zhivoin Glisiq, pas çka pason defileja.

Maqedonia e Veriut, pavarësinë e saj e fitoi përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Të ngjashme