Një ditë pasi Ministria e Tregtisë e Kosovës njoftoi se ka vendosur masa reciprociteti për importin e mjaltit dhe patateve nga Maqedonia, ministri i Bujqësisë i Maqedonisë së Veriut, Trajan Dimovski, ka thënë se ndalimi i importit të rasatit të peshqve nga Kosova, nuk paraqet ndalesë të posaçme vetëm për Kosovën.
Dimovski sqaroi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka për qëllim marrjen e lejes për eksport të peshkut të freskët në tregun evropian dhe se për këtë shkak janë rritur standardet në këtë industri, raporton KTV.
“Nuk po implementojnë monitorimin, nuk kanë ndalesë eksplicite, të themi vetëm pse janë prodhime të Republikës së Kosovës, porse masa vlen për të gjitha shtetet tjera. Nëse dëshmohet se po implementojnë monitorimin, nuk do të ketë asnjë problem”, ka thënë ai.
Maqedonia e Veriut, gjatë vitit, eksporton rreth 40 deri 1,000 tonë patate në Kosovë, ndërsa vlera e mjaltit të eksportuar arrin deri në 400.000 euro.