Fitore shumë të vështirë ka arritur Maqedonia e Veriut në hapje të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Të shtunën në Shkup, Maqedonia e Veriut fitoi 2:1 ndaj Armenisë, në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Ezgjan Alioski e Ilija Nestoroski shënuan nga penalltia për Maqedoninë e Veriut, ndërsa prej pikës së bardhë golin e shënoi edhe Armenia.
Fitorja e arritur në fushën e vështirë të stadiumit “Toshe Proeski” është vlerësuar me shumë peshë për Maqedoninë e Veriut, përkatësisht për të ardhmen e përfaqësueses së vendit fqinj. Pritet t’i shërbejë pikërisht për ndeshjen ndaj Kosovës, që luhet më 8 tetor në Shkup. Bëhet fjalë për përballjen gjysmëfinale të plejofit për “Euro 2020”.
Por, para ndeshjes vendimtare, Maqedonia e Veriut luan edhe një ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve. Të martën në Tbilisi takohet me Gjeorgjinë.
Maqedonia e Veriut, njëjtë si Kosova, synon kualifikimin e parë në një ngjarje të madhe. Në fakt paraqitja ndaj Armenisë nuk ishte bindëse, por në Maqedoni të Veriut e rëndësishme është vlerësuar fitorja.
“Kjo fitore, ky start i suksesshëm duhet të shihet nga ana pozitive, duke u bazuar në atë që e pret në të ardhmen e afërt. Mbi të gjitha, këtu mendoj për ndeshjen e plejofit ndaj Kosovës. Duhet të themi që fakti se ekipi ka luajtur për herë të parë pas dhjetë muajsh, ka pasur ndikim. Po ashtu është luajtur në kushte të pazakonta, prej orës 15:00. Temperatura e lartë ka pasur ndikim, e po ashtu ambienti i pazakontë, pa shikues. Është fitore shumë e rëndësishme për ekipin dhe selektorin Angelovski. Nuk duhet të shihet nga këndi negativ. Nuk ka nevojë për gjëra të tilla. Golat, pikët dhe fitoret llogariten”, ka thënë Qatip Osmani, një prej trajnerëve më të mirë në Maqedoni të Veriut.