Fushata për referendumin në Maqedoni po vjen drejt fundit, derisa partitë kanë në dispozicion të mërkurën dhe të enjten për të mbrojtur qëndrimet e tyre para qytetarëve.
Derisa partitë e koalicionit “Bashkë për Maqedoninë Evropiane” janë në vlugun e fushatës për të bindur qytetarët për të dalë në votimin “historik’ të së dielës, opozita maqedonase nga ana tjetër edhe pse nuk ka bërë thirrje për dalje apo mosdalje në votime, fushatën e saj po e përmbyll me konferenca për media, me propagandë në rrjetet sociale dhe ndonjë tubim të rrallë ndërsa në epiqendër ka sulmet ndaj marrëveshjes “kapitulluese” me Greqinë.
Edhe partitë shqiptare ndodhen në fushatë dhe të gjitha, pa përjashtim janë përqendruar në thirrjet drejtuar elektoratit shqiptar për dalje sa më masovike në votimin e së dielës.
Dalja në përqindje sa më të lartë, apo mbi 50 për qind të trupit të përgjithshëm votues, referendumin do ta bënte të suksesshëm pasi në të kundërtën zbatimi i marrëveshjes me Greqinë, që duhet të kalojë edhe ndryshimet kushtetuese, do të ishte tepër i vështirë.
Maqedonia ka rreth 1.8 milion votues dhe që referendumi të jetë i vlefshëm në votime duhet të dalin mbi 50 për qind e atyre apo rreth 900 mijë qytetarë me të drejt vote.
Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën e ka përmbyllur të mërkurën në mbrëmje në sheshin “Skënderbeu” në Çair. Kryetar i kësaj partie, Ali Ahmeti ka thënë se 30 shtatori nuk do të përsëritet asnjëherë andaj siç tha qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë ditë për të vendosur të ardhmen e tyre.
“30 shtatori është një moment i papërsëritshëm dhe historik, më 30 shtator nuk votohet për një marrëveshje të arritur mes palëve. Më 30 shtator ne flakim nga qafa një gurë që na peshon tash e 27 vite me radhë. Me 30 shtator nuk do të votojmë vetëm për paqen dhe stabilitetin dhe sigurinë të vendit tonë, por për mbarë rajonin e Ballkanit perëndimor”.
“Është një moment historik edhe për të tjerët. Më 30 shtator, ne vulosim dhe ndahemi përgjithmonë nga e kaluara dhe vendoset gurthemeli për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti duke theksuar se pas referendumit dhe miratimit të detyrimeve tjera nga marrëveshja me Greqinë do të zyrtarizohet edhe ligji për gjuhën shqipe, që sipas tij e bën shqipen gjuhë të dytë zyrtare në vend.
Maqedonia në këto tre javët e fushatës së referendumit është vizituar nga shumë personalitete të larta evropiane e botërore, që nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis, kreu i NATO-së, Jens Stoltenberg e shumë kryeministra e shefa të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së.
Emëruesi i përbashkët i mesazheve të tyre ka qenë dalja në referendum dhe votimi i marrëveshjes me Greqinë, si alternativë e vetme për të ardhmen e Maqedonisë.
“Komuniteti ndërkombëtar ditëve të kaluara e ka dëshmuar qartë mbështetjen dhe inkurajimin për këtë hap të cilin e kemi për obligim dhe përgjegjësi ta bëjmë në vet. Ky është mesazh inkurajimi për të gjithë ne që të vazhdojmë me këtë rrymë të mentalitetit të ri, përparues. Ne, meritojmë të jetojmë në shtet të sigurt, stabil, demokratik, shtet në të cilin respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut, në të cilin sundon e drejta dhe shteti juridik”.
“Tani është momenti për vendimin historik, që t’i heqim barrierat që na mbajnë të izoluar në këtë truall dhe nuk na lejojnë që të ecim përpara”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Kryeministri, Zoran Zaev të martën i bëri thirrje opozitës “të mos merret me lajme të rreme”, por të ftojë qytetarët që të dalin në referendum dhe pasi këtë ajo sipas kreut të qeverisë do të realizojë kërkesën dhe premtimin e dhjetë viteve të fundit se “për çështjen e emrit të shtetit duhet të vendosin qytetarët në referendum”.
Fushata e referendumit është shoqëruar edhe me debatin dhe frikën mbi ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në procesin e votimit. Shqetësimet janë ngritur në veçanti pas deklaratës të sekretarit amerikan të mbrojtjes, James Mattis, se Rusia mund të “dëmtojë” referendumin, pasi publikisht e ka kundërshtuar integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.
Përveç VMRO-së, që është kundër marrëveshjes me Greqinë, në Maqedoni vepron edhe një parti pro-ruse, “Maqedonia e Bashkuar”, e cila së bashku me disa parti tjera të vogla, ekstreme dhe majtiste zhvillon fushatë për bojkot të referendumit.
Ata janë akuzuar se kanë marrë para nga Moska, por institucionet deri më tani nuk kanë arritur të zbulojnë nëse pretendimet e tilla janë të vërteta.
Në rast se referendumi i së dielës ka sukses, kjo i hap rrugën ndryshimeve kushtetuese, e të cilat do të pranohen edhe nga opozita, bazuar në qëndrimet e saj se nëse shumica vendos për të pranuar marrëveshjen me Greqinë, atëherë këtë do të bënte edhe ajo më mbështetjen e paktit me Athinën.
Me këtë, Maqedonia do të ndërrojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, që nënkupton edhe mbylljen e kontestit 27 vjeçar me Greqinë, të cilin ajo e ka shfrytëzuar për të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.