Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis Bullgarisë dhe Maqedonisë në Parlamentin e Maqedonisë.
Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë në seancën e sotme votuan për ratifikimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Deputetët e opozitës VMRO-DPMNE nuk morën pjesë në punën e Parlamentit.
Në një njoftim me shkrim nga zyra e shtypit e Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme, thuhet se ministrja Zaharieva ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve në Parlamentin e Maqedonisë.
“Me këtë vendim plotësohet një nga elementet e rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat janë themel i konsolidimit të perspektivës evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Zaharieva.
Sipas njoftimit, Zaharieva ka thënë se Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë në mënyrë aktive në rrugën e saj të eurointegrimit.
Shefja e diplomacisë bullgare ka theksuar se ky vendim paraqet zgjedhje strategjike për Bullgarinë, në kuadër të prioriteteve të vendit të saj në periudhën e kryesimit të radhës në Këshillin e BE-së.
“Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Maqedoninë është e bazuar në vlerat e përbashkëta evropiane, që e bën rajonin tonë më të bashkuar dhe më të fortë”, është shprehur Zaharieva.
Kujtojmë se kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, në gusht të vitit të kaluar në Shkup nënshkruan një Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.