Maqedonia Veriore mban zgjedhjet lokale në tetor të vitit të ardhshëm

Prishtinë | 20 Sht 2020 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Partitë në Maqedoninë e Veriut pajtohen që zgjedhjet lokale të mbahen në tetor të vitit 2021.
Sipas tyre, Kodi Zgjedhor kategorizon mandatin e kryetarëve të komunave i cili nuk guxon të shkurtohet ose ndërpritet.

Opozita kërkon që debati të përqendrohet në modelin me lista të hapura për këshilltarët komunal. Vendimi duhet të merret me konsensus.

“Ligji për vetëqeverisje lokale kushtëzon rrethanat kur mund të ndërpritet mandati i kryetarit të komunës dhe këshilltarit dhe se i njëjti nuk mund të jetë më i shkurt se 4 vjet. Për mua data është relative dhe ajo është në tetor të vitit ardhshëm”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

“Konstatimi ynë është se kemi mungesë të demokracisë në vendin tonë dhe gjithashtu mendojmë se listat e hapura do të kontribuojnë në demokracinë në vend. Kjo është kërkesë e jona shumë e hershme dhe jemi partia e parë që kemi kërkuar një ndryshim si ky”, theksoi Elmi Aziri, Deputet i ASH-së.

Partitë e shumicës janë të mendimit që zgjedhjet lokale duhet mbajtur me lista të hapura, por sipas tyre për këtë nevojitet konsensus i përgjithshëm politik. Këtë e ka paralajmëruar edhe ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq.

“Është fakt se listat e hapura për zgjedhje komunale dhe parlamentare kërkohen tashmë një kohë të gjatë dhe për këtë ka një pajtim mes partive që si test të zbatohet ai model në listën e këshilltarëve komunal. Ne jemi dakord me këtë çështja”, tha Arta Bilalli, deputete e BDI-së.

“Ka ende shumë kohë dhe ne si parti dhe politikanë duhet t’i përmbahemi afateve pas përfundimit të mandatit. Vlerë e re që promovojmë është lista të hapura për këshilltarë”, tha Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.

Në vitin 2017 mandati i kryetarëve të komunave kishte përfunduar në muajin maj, por për shkak se Kuvendi nuk ishte funksional dhe vendi ishte pa qeveri si pasojë e krizës politike, Gjykata Kushtetuese vendosi vazhdimin e mandatit të tyre deri në muajin tetor. Mandati i tyre përllogaritet nga tetori i vitit 2017./AlsatM

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme