Diego Armando Maradona. I kthjellët, pa filtra, në stilin e tij maradonian. “El Diez” flet për gjithçka dhe për këdo në intervistën për programin “Libero” në televizionin “TyC Sports”.
Nga fillimet e jetës së tij në rrugët e pista të Fioritos, deri në ditët e sotme, luftën e tij me Riquelmen, pa harruar jetën e tij private, drogën, marrëdhëniet me gratë dhe seksin.
Cila është aroma më e mirë për Maradonën?
Aroma e barit, kjo është era më e mirë në botë.
Gjëja më e tmerrshme në këtë jetë?
Uria. Shkoj në Fiorito dhe shoh ende të njëjtat rrugë të pista.
Përse pranuat të merrnit drejtimin e klubit të Gimnasias?
Doja të përjetoja emocionet e futbollit argjentinas. Njerëzit në Gimnasia janë të veçantë, nuk kanë fare lidhje me tifozët e tjerë. Më kujton argjentinasit.
Çfarë mendoni për Rikelmen?
Nëse unë dhe ai do të ishim të kyçur në një dhomë dhe nëse ai do të kishte bërë atë që thonë se ka bërë, unë do ta rrihja atë nga e hëna në të premte. Të shtunën do ta lija të pushonte dhe të dielën do të dilnim në gjyq.
Dhurata më ekstravagante që keni marrë?
Një unazë që presidenti i Bjellorusisë më dha kur isha te Brest.
Kujtimi i parë si një tifoz i Bokas?
Kur babai më mori me vete në stadium, kur isha 12 vjeç.
Trajnerët që të pëlqejnë më shumë? Gajardo, i cili po bën një punë fantastike (River Plejt). Më pëlqen Guardiola, Murinjo… Hainze po bën një punë të shkëlqyer dhe ka të ardhme fantastike. Do doja ta shihja në stolin e një kombëtareje.
Trajneri më i mirë në Argjentinë dhe futbollisti më i mirë?
Trajneri më i mirë Gajardo, lojtari më i mirë Naço, i cili ka një të majtë që i ngjan shumë asaj të Rikelmes.
Futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave?
Ishte Di Stefano, i cili ishte superior ndaj të gjithëve, përfshirë edhe mua.
Çfarë i keni mësuar ju Mesit?
Nuk do them se e mësova unë sesi të godasë goditjet e dënimit, por i mësova sesi të vendosë këmbën. Asgjë më shumë, gjithçka tjetër është meritë e tij. Nuk do ta kritikojë kurrë. Jam argjentinas. Unë jam shoku i Leitos. E kam parë të qajë në dushe pasi humbëm 4-0 me Gjermaninë. E pash të qante si një fëmijë 5-vjeçar.
Vendi juaj i preferuar për të kaluar pushimet?
Dubai. Si të futesh në ujë në mëngjes, ashtu edhe në orën 12 të natës, uji është gjithnjë i ngrohtë.
Cili është personi që keni frikë në këtë jetë?
Nuk kam frikë nga askush. I vetmi që mund të më mbyllë gojën është Benxhamin (nipi), as mamaja, as halla…
Trajneri më i mirë që iu ka stërvitur?
Menoti.
Nuk ftuat Mark Entonin dhe Xhenifer Lopezin në programin tuaj dhe ata u zemëruan me ty…
Xhenifer ka një sensualitet vrastar. Po vdisja ta ftoja, po vdisja t’i thosha “ta shoh atë prapanicë”…
E keni takuar Pablo Eskobarin?
Betohem për nënën time që është në qiell, që nuk e kam bërë kurrë. Ajo që ai bëri, ishte e tmerrshme.
Çfarë u thua fëmijëve të tu për drogën?
Që t’i qëndrojnë larg. U them që nuk do të jenë më pjesë e familjes nëse e bëjnë. Por nuk i kërcënoj në mënyrë të pasjellshme. Në shtëpinë time, unë u rrita me dashuri. Mesazhi im është të mos merrni drogë, do t’iu shkatërrojë jetën. Kur merrja kokainë, nuk isha asgjë, isha një mumje.
Të kujtohet gjë kur re në koma?
Më kujtohet sikur isha në një fushë të zezë dhe më hidhnin grepa. Donin të më jepnin dorën për të më nxjerrë, por nuk mund të dilja. Askush nuk jep një medalje për daljen nga droga të Maradonës. Dalma më nxori prej andej.
Cila ishte makina juaj e parë?
Një FIAT 128, model i vitit 1980, i kuq.
Suzana apo Moria?
Moria dhe gruaja më e mirë në vend është Rosia, vogëlushja ime.
Bionde apo brune?
Bionde.
Mëngjes apo mbrëmje?
E dashuroj mëngjesin. Ngrihesh me energji.
Sot, miku juaj më i fuqishëm në politikë është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin…
E dua deri në vdekje, sepse është me ne. Për nga fuqia është Fidel Kastro dhe Çavez. Ka potencialin për të ndjekur gjurmët e tij, të jetë Fideli i ri. Duket një burrë i vogël eh, por të të lëshojë një goditje karateje…
Vendi më ekzotik ku keni bërë dashuri?
Në Polinezi.
Jeni romantik?
Po, më pëlqen të dhuroj lule.
Pengu juaj në jetë?
Kam humbur rritjen e vajzave të mia.
Pjesa juaj e preferuar e ditës?
Perëndimi i diellit.
Ushqimi i preferuar?
Fileto, oriz, milaneze…
Cilin do merrnit me vete në një jaht?
Tevezin, Mesin dhe Hainzen.
Çfarë do të thotë të jesh Maradona?
Të jesh Maradona është bukur. Jam një tip normal, i cili u ka shënuar një gol anglezëve, të cilët na kanë vrarë fëmijët në Falklande. Sot njerëzit më njohin, por jam njeriu më normal.