Te Bashkimi nuk kanë pasur kohë të festojnë fitoren ndaj Trepçës (96:80) që e shënuan të enjten mbrëma në Prizren, në kuadër të xhiros së 21-të në Superligën e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Pas këtij triumfi ekipi prizrenas është dashur të mendonte menjëherë tjetër derbi, atë me Golden Eagle Yllin, që i takon xhiros së 22-të. Kjo ndeshje do të zhvillohet të shtunën (sot) në Suharekë prej orës 19:00. Për Bashkimin kjo do të jetë ndeshja e tretë e fortë brenda pesë ditësh dhe për këtë ka ankesa të klub.
Dy ditë para ndeshjes me Trepçën, Bashkimi luajti në shtëpi ndeshjen e fundit të këtij edicioni në Ligën Ballkanike dhe humbi nga Blokotehna e Maqedonisë.
Tri përballje për pesë ditë, janë shumë edhe për skuadrën kampione. Trajneri Jeronimo Sharin ankohet se nuk di as çfarë të kërkojë prej lojtarëve të tij në përballjen e së shtunës.